Shqipëria

Dinastia e Savoia-ve dhe mësymja e Italisë në Shqipëri


Pushtimi italian në Shqipëri do të merrte shkas më 7 prill të vitit 1939 dhe vendi do të vendosej brenda pesë ditësh nën kurorën e Perandorisë së kohës.

Shqipëria u pushtua me shpejtësi, ndërsa sundimtari i saj, Mbreti Zog I, u detyrua të mërgonte së bashku me familjen mbretërore.

Për Mbretërinë e Italisë, Shqipëria kishte prej kohësh një rëndësi të konsiderueshme strategjike.

Strategët detarë italianë lakmonin portin e Vlorës dhe ishullin e Sazanit në hyrje të Gjirit të Vlorës.

Kjo e fundit do t’i jepte Italisë kontrollin e hyrjes në detin Adriatik.

Operacioni do të drejtohej nga gjenerali italian, Alfredo Guzzoni.

Guzzoni ishte figura kryesore e pushtimit të suksesshëm të trupave italiane në Shqipëri.

Dinastia ushtarake

Dinastia e Savoia-ve, e cila sundoi Italinë nga viti 1861 deri në vitin 1946, ishte në thelb një dinasti ushtarake.

Pra, ajo përbëhej nga mbret-ushtarak, të cilët kombinonin veprimet politike dhe militare.

Ata nuk dallonin nga monarkitë e tjera në botë, por sigurisht veprimi i Savoia-ve si komandantë ushtarakë ishte domethënës për historinë e dinastisë dhe të Italisë.

Udhëheqësi më i famshëm i Shtëpisë së Savoia-ve ishte Eugenio di Savoia.

Edhe pse nuk ishte një princ me pushtet, ai ishte një nga strategët më të mëdhenj të epokës moderne.

Kjo i ofroi dinastisë Savoia një prestigj të jashtëzakonshëm ushtarak.

Në epokën bashkëkohore, Savoia-t ishin të gjithë anëtarë të Forcave të Armatosura me gradat më të ndryshme.

Grada më e lartë e arritur nga një anëtar i dinastisë ishte ajo e Marshallit të Parë të Perandorisë, e cila u mbajt nga Vittorio Emanuele III.

Umberto II, i cili ndoqi Shkollën Ushtarake të Romës, ishte i fundit i Savoia-ve që komandonte operacionet e departamenteve ushtarake.

Monarku kontrollonte edhe Komandën e Ushtrisë së 4-t të gjeneralit Alfredo Guzzoni.

Alfredo Guzzoni
Pushtimi

Forcat pushtuese funksionuan në tre grupe, të cilat do të zbarkonin me radhë.

Më i rëndësishmi ishte grupi i parë, i cili u nda në katër kolona, ​​secila e caktuar për një zonë zbarkimi në një port.

Planet origjinale italiane për pushtimin kërkonin deri në 50 mijë burra të mbështetur nga 137 njësi detare dhe 400 aeroplanë.

Në fund, forca pushtuese u rrit në 100 mijë trupa të mbështetur nga 600 aeroplanë.

Më 7 prill, trupat e Musolin-it, të udhëhequr nga gjeneral Alfredo Guzzoni, pushtuan Shqipërinë.

Në Sarandë do të vendoseshin 65 njësi, në Vlorë 40, në Durrës 38, në Shëngjin 28 dhe tetë të tjera në Bishtin e Pallës.

Rezistenca

Nga ana tjetër, ushtria e rregullt shqiptare kishte 15 mijë trupa, të cilët ishin trajnuar nga oficerë italianë.

Plani i Mbretit Zog ishte të bënte një rezistencë në male, duke i lënë portet dhe qytetet kryesore të pambrojtura.

Por, agjentët italianë të vendosur në Shqipëri e sabotuan këtë plan.

Shqiptarët zbuluan se artileria ishin çaktivizuar dhe nuk kishte municion.

Si pasojë, qëndresa kryesore u bë nga xhandarët dhe grupet e vogla të patriotëve.

Në Durrës, një forcë prej vetëm 360 shqiptarësh, kryesisht xhandarë dhe qytetarë, të udhëhequr nga Abaz Kupi, komandant i xhandarmërisë në Durrës dhe Mujo Ulqinaku, një zyrtar detar, u përpoqën të ndalonin përparimin italian.

Kronologjia

Në orën 13:30 të ditës së parë, të gjitha portet shqiptare ishin në duart e italianëve.

Në orën 9:30 të mëngjesit të 8 prillit, trupat italiane hynë në Tiranë dhe pushtuan me shpejtësi të gjitha ndërtesat qeveritare.

Më pas, kolonat italiane të ushtarëve marshuan drejt Shkodrës, Fierit dhe Elbasanit.

Shkodra u dorëzua në mbrëmje pas 12 orësh luftime.

Numri i viktimave në këto beteja është i diskutueshëm.

Forcat ushtarake italiane pohuan se në Durrës u vranë 25 italianë dhe u plagosën 97, ndërsa u vranë 160 shqiptarë dhe u plagosën disa qindra.

Kurse, banorët e Durrësit deklaruan se ishin vrarë rreth 400 italianë.

Për të mbuluar humbjet e tyre, italianët i morën menjëherë trupat dhe lanë portin dhe rrugët e Durrësit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore