Muzikë

Dilemat për koncertin virtual “Shadow Kingdom” të Bob Dylan


Koncerti virtual “Shadow Kingdom” i Bob Dylan i transmetuar në “Veeps”, aq sa ishte performancë e hatashme, ishte edhe e habitshme.

Dylan nuk performoi me grupin “Never Ending Tour”, me të cilin bashkëpunon zakonisht nëpër turnetë e tij.

Kësaj here, ai kishte gjetur disa performues të rinj si: Alexi Burke, Janie Cowan, Joshua Crumbly, në një klub nate të quajtur “Bon Bon Club” në Marseille të Francës që s’ekziston fare.

Pamjet të krijojnë përshtypjen e filmave noir francezë të viteve të 40-a dhe saloneve Western të Hollywood-it.

Aty ai luajti këngë, të cilat kishte kohë që nuk i kishte luajtur si “Queen Jane Approximately”, “Pledging My Time”, “The Wicked Messenger”, “What Was It You Wanted?”.

E gjithë shfaqja ishte një kënaqësi pas kënaqësie dhe, e vetmja gjë e keqe, ishte se përfundoi pas vetëm 50 minutash.

Por disa gjëra mbeten të paqarta në këtë shfaqje.

Kreditet në fund falënderojnë “Bon Bon Club në Marseille”, por nuk ka mundësi që Dylan dhe një ekip aq i madh filmi të kenë qenë në Francë për të filmuar këtë koncert në mes të pandemisë.

Përveç kësaj, nuk ka një klub të tillë në Marsejë. Sipas të gjitha gjasave, ky ishte një film i vendosur diku në Kaliforni, i dizajnuar të dukej si një sallon i mesit të shekullit 20-të. Anëtarët e audiencës ishin aktorë me kostume të kësaj periudhe.

Po ashtu, e paqartë është se çfarë ka ndodhur me albumin e tij të fundit “Rough and Rowdy Ways”, këngë të cilat Dylan ende s’i ka performuar live. Edhe më herët ishte lajmëruar që në këtë koncert vetëm këngët e hershme të Dylanit do të luheshin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore