Kosova

Dikush punësoi minatorë për të blerë vota e dikush i keqpërdori ata për qëllime politike, thotë Rizvanolli


Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, nëpërmjet një postimi në platformën sociale, Facebook, ka dhënë detaje për takimin që ajo të premten së bashku me ministren e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, realizoi me minatorët e ndërmarrjes publike “Trepça”.

Sipas saj bashkëbisedimi në hyrje të minierës ka qenë jashtëzakonisht “i vlefshëm, i hapur e i sinqertë”.

“Ne u morëm vesh shumë mirë: nuk duhet të fshihet keqpërdorimi prapa djersës së minatorit”, ka shkruar ajo.

Më tej Rizvanolli ka vlerësuar se Trepça për vite të tëra ka qenë objekt i keqpërdorimit të pafundëm.

“Dikush ka punësuar njerëz për të blerë vota e ka vjedhur, e dikush keqpërdor fotografitë e minatorëve për qëllime politike”.

Andaj ajo ka premtuar se e njëjta gjë s’do të ndodhë gjatë kësaj qeverisjeje.

“Me shumë kënaqësi do të bashkëbisedoj me ata/o që janë sinqerisht të interesuar për sfidat e Trepçës e çfarë po ndodh aty, e jo thjesht për të shtrembëruar e keqpërdorur vështirësitë e ndërmarrjes për klikime e poena politike”.

Në pamjet që janë publikuar nga mediat lokale, gjatë një bisedë të Sveçlës me njërin nga minatorët, kreu MPB-së dëgjohet teksa i fton minatorë që “hajde po punojmë bashkë, kushdo që vjedh me i nxanë”.

“Nuk mundemi me i nxan na minatorët”, ia kthen njëri nga minatorët, “nuk kem faj, ne punojmë në minierë”.

Sveçla insiston duke theksuar se “bashkë, bashkë, si kolektiv”.

“Sepse unë nuk e di kush po vjedh, ma mirë e dini ju sesa unë. E jona… si Ministri e Punëve të Brendshme dhe policia është me nxan secilin që vjedh djersën e juaj…”, shton ministri.

“Ju e dini më mirë kush janë ata”, i thotë minatori, derisa Sveçla përgjigjet se “jo unë s’e di, më mirë e dini ju se punoni me ta”.

Pastaj, minatori duke iu dridhur zëri, duke shpërfaqur plotë emocione i tregon Sveçlës dhe Rizvanollit për kushtet e rënda të tij dhe familjes së tij, për shkak se nuk mori pagë për dy muaj.

“Që dy muaj ditë pasha zotin… qetash kthehen fëmija mos me pas bukë me hangër’ ministresh, nuk e di a është ministresh a s’është, nuk e di kush është, e tum’ thanë fëmija a ka rrogë a s’ka, vallahi mu m’kish ardh marre me kanë në ven tanin, besomë s’isha ardh hiç. Me ardh unë në punë e me ua marrë fëmijëve bukën, kjo është vdekje”, thotë minatori.

Përgjigje këtë radhë minatori mori nga Ministrja Rizvanolli.

Ajo i thotë se atij se “duhesh me pas parasysh kush është duke ia marrë qat’ bukë”, duke aluduar kështu se dikush është duke vjedhur në minierë, derisa u tregoi atyre se si kjo ndërmarrje ka operuar me humbje.

“Ka shumë punëtorë mbi tokë, për xehet e pakta të nxjerra nga nëntoka” – Kurti ndan 4 milionë euro për pagat e minatorëve

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore