Sport

Dikur mblidhte atlete sportive në mbeturina, tani vlen mbi 100 milionë euro


Klubi i Napolit është duke kaluar në formë të mrekullueshme, duke udhëhequr tabelën në Serie A me 15 pikë mbi vendin e dytë dhe gjithashtu janë afër kalimit në çerekfinale të Ligës së Kampionëve.

Një ndër protagonistët e këtij suksesi është edhe sulmuesi i tyre, Victor Osimhen, i cili ka shënuar 21 gola dhe ka dhuruar katër asistime në 26 ndeshje në të gjitha garat.

Por, kush ishte ai, ka treguar vetë sulmuesi nigerian, i cili në një intervistë për “France Football” rrëfeu momentet e vështira të fëmijërisë në kryeqytetin e Nigerisë, Lagos.

“Aty ku u rrita, njerëzit jetojnë një botë shumë të vështirë”, tha fillimisht sulmuesi i Napolit në për “France Football”.

“Me miqtë e mi, shkonim atje çdo të premte ose të diel për të gjetur këpucë në një deponi mbeturinash”, vazhdon rrëfimin Osimhen.

“Ne qëndruam atje për një kohë të gjatë. Ishte qesharake! Mendjen e kishim vazhdimisht për lojën e futbollit, por kur ta mendosh këtë, ishte sikur një luftë”.

“Kishte raste kur gjeja një këpucë të firmës Nike pastaj kur kërkoja për këmbën tjetër, e mbathja një të firmës Reebok. Motra ime më ndihmonte t’i gjeja”.

Sulmuesi 24-vjeçar vazhdon rrëfimin për fëmijërinë e tij të vështirë duke treguar si humbi nënën, pastaj jetesën e vështirë me babain e tij.

“Kam humbur mamanë në tetor, as që e mbaj mend vitin. Isha i vogël. Tre muaj më vonë babai humbi punën, ishte shumë e vështirë për familjen tonë”.

“Vëllai im shiste gazeta sportive, motra ime shiste portokall në rrugë dhe unë, ujë në shishe në Lagos në mes të trafikut”.

“Duhej të mbijetonim kështu që u mbërthyen bashkë. Në mbrëmje ishim të gjithë bashkë dhe mblodhëm paratë në tavolinë. I dhamë gjithçka motrës sonë të madhe dhe ajo bëri ushqim dhe organizoi gjithçka”.

“Kur firmosa në Wolfsburg , nuk bleva asgjë për veten time me bonusin tim. Bleva menjëherë një shtëpi në Lagos për babain tim”.

“I kam dhënë para vëllezërve dhe motrave të mia dhe sot të gjithë janë në rregull në punët e tyre, më gëzon të di se kanë mjaft për të ngrënë.

“Ata më ndihmojnë gjithmonë dhe është normale që dua t’ua ndryshoj jetën”, tha mes tjerash ylli i Napolit Victor Osimhen.

Sulmuesi nigerian tani është një nga futbollistët më të kërkuar në Evropë.

Klubet angleze janë gati të shpenzojnë shuma të mëdha parash për transferimin e tij, derisa mediat në Angli raportojnë që Manchester United dhe Arsenal janë të gatshëm të ofrojnë deri në 120 milionë funte për transferimin e Osimhen.

Pra, në rast se arrihet ky akord gjatë verës së ardhshme, atëherë ai do të bëhej transferimi më i shtrentë në historinë e Premier Leauge, duke e parakaluar Enzo Fernandez-in që u transferua në janar nga Benfica te Chelsea.

Kujtojmë që Osimhen është pjesë e Napolit që nga vera e vitit 2020, kur u transferua nga Lille për shumën e 80 milionë eurove.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore