Shqipëria

Diku rrezik për sigurinë, këtu ‘biznes më vete’


Nëse nuk do të flitej për aplikacionin që të gjithë po flasin, do të ishte e habitshme.

TikTok-u, për mirë a për keq, i ka pushtuar titujt e mediave të mbarë botës muajt e fundit.

Arsyeja? Çështjet e sigurisë. Një seri vendesh perëndimore kanë ndërmarrë masa paraprake duke e ndaluar atë nga pajisjet qeveritare.

E gjitha, me pretendimin se të dhënat e përdoruesve mund të jenë të disponueshme për qeverinë e Kinës, ku është e vendosur edhe kompania mëmë ByteDance.

Por këto përpjekje nuk do të ishin kaq të ngutshme nëse TikTok-u nuk do të ishte kaq i popullarizuar dhe i pëlqyer. Është edhe kjo anë tjetër e tij, që në Shqipëri ashtu sikurse kudo tjetër, nuk është pa përfitime.

Aq sa influencuesit vendas e konsiderojnë aplikacionin dhe të ardhurat që vijnë prej tij si një ‘biznes më vete’.

Dhe si gjithçka tjetër, edhe kjo e ka një shpjegim.

Çështje sinqeriteti

Si fillim, Ina Gjini – menaxhere e influencuesve – tregon për Albanian Post se TikTok-un e bën një aplikacion tërheqës për përdoruesit fakti që është ndryshe nga aplikacionet e tjera.

Ajo e cilëson aplikacionin “argëtues”, ku njerëzit tregojnë momente nga jeta e tyre e përditshme.

Ndryshe nga Instagram-i ku njerëzit përpiqen të tregojnë më të bukurën nga jeta e tyre, ajo dallon se në TikTok shfaqet njëfarë “sinqeriteti”, jeta e përditshme e tyre.

Kështu, duket sikur përdoruesi është gjithë kohës në koherencë me bashkëmoshatarë, miq e shoqëri, duket sikur bashkëbisedon me ta, duke e parë jetën e tyre në kohë reale.

“Sinqeriteti që tregojnë përdoruesit e TikTok-ut, trendet argëtuese dhe komuniteti i krijuar ku mund të mësohen shumë gjëra të reja, e bëjnë tërheqës”, thekson Gjini.

Ajo rrëfen për Albanian Post se edhe vetë ka mësuar pafund nga TikTok-u, si në sferën e financave dhe marketingut, që i përkasin profesionit të saj, por edhe në lidhje me shëndetin, bukurinë apo veshjet.

“Lirisht mund të themi se shërben si një shkollë më vete”, shprehet menaxherja.

Të gjitha palët të fituara

Ngjashëm duket se ka funksionuar edhe për bizneset vendase. Jo vetëm kanë mësuar shumë nga TikTok-u, por edhe i kanë vënë në zbatim këto mësime.

Pa hezitime, shumë biznese të mëdha e të vogla qarkullojnë në TikTok bashkë me produktet apo shërbimet që ofrojnë nëpërmjet bashkëpunimit me influencuesit.

“Bizneset e ndjekin këtë trend pasi, përgjithësisht, influencuesit kanë kosto të ulët në krahasim me format e tjera të promovimeve, të cilat mund të jenë si online edhe offline”, veçon Gjini.

Në këtë mënyrë, bizneset – duke përdorur një figurë të pëlqyer – “tërheqin atë target grup që kanë për synim ta arrijnë përmes atij imazhi për të promovuar produktet apo shërbimet e tyre”.

Përpos kostos së ulët, sipas saj, është edhe kredibiliteti pasi influencuesit kanë kredibilitet. Pastaj vjen targeti që arrihet më lehtë për një biznes. Kjo sepse me mënyrat e tjera të reklamimit kjo ndoshta nuk mund të arrihet, kurse me ndihmën e influencuesve biznesi ia del.

Ajo e cilëson si një zgjedhje të përshtatshme këtë nga ana e bizneseve. Por ka edhe disa këshilla.

“Duhet patur gjithmonë parasysh që të zgjidhet influencuesi i duhur. Shumë biznese gabojnë në këtë aspekt. Për të gjetur të duhurin nevojitet që të merren të dhëna se si varion mosha e audiencës që e ndjek atë, gjinia që e ndjek më shumë apo në çfarë vendndodhjeje gjenden ata”, tregon Gjini.

Në bazë të këtyre, biznesi mund të realizojë një fushatë marketingu me influencuesin që mund të jetë vërtet i suksesshëm.

‘Biznes më vete’

“Është e vërtetë që TikTok-u është kthyer në një ‘biznes më vete’ për shumë influencues shqiptarë. Ka disa influencues që kanë dalë nga TikTok-u dhe janë goxha të suksesshëm”, vëren menaxherja.

Po ashtu është e vërtetë që përfitimit janë relativisht “të larta”.

Gjini tregon se një influencues që mund të ketë një ndjekje në TikTok që përllogaritet nga 50 mijë deri në 100 mijë ndjekës, përfitimet i kalojnë 2 mijë euro në muaj.

Sipas saj, realiteti është që këto përfitime janë më të larta nga sa mund të merret nga një punë me kohë të plotë në një biznes këtu në Shqipëri.

“Pra, merr më shumë nga TikTok-u se sa të jesh i punësuar”, ravijëzon ajo.

Me këtë shpjegon edhe faktin se ka shumë tiktokers që e përdorin audiencën e tyre për të shitur dhe për të bërë biznes. “Përfitime gjenerohen, edhe influencuesit përfitojnë, po ashtu edhe bizneset”.

“Janë disa influencues që vërtetë dinë të shesin shumë mirë dhe kështu të dyja palët dalin të fituara. Edhe influencuesi edhe biznesi me të cilin ai bashkëpunon”, rithekson Gjini.

Trend i përkohshëm?

Menaxherja nuk bie dakord me këtë ide. Për të TikTok-u nuk është një trend i përkohshëm. Sepse jo vetëm që konkurroi Meta-n (kompania mëmë e Facebook-ut, Instagram-it dhe Whatsapp-it), por po konkurron edhe YouTube-in.

Dhe arsyeja për këtë është praktike, sipas saj.

“Kur dua të gjej diçka, e kam më të lehtë ta kërkoj në TikTok pasi videot janë më shkurtra, më të përmbledhura, më informuese se sa në YouTube ku videot janë më të gjata”, shpjegon ajo.

Po ashtu vëren se shumë produkte, sidomos ato të makeup-it, janë nxjerrë në pah në TikTok. Kjo pasi është shumë e nevojshme që të ketë “dëshmitarë që të provojnë produkte të caktuara, kryesisht të makeup-it, në mënyrë që të vihen në pah dhe audienca të informohet për to”.

Çdo konsumator, vijon Gjini, e sheh sime të besueshme që të blejë një produkt kur testohet nga dikush i besuar.

‘Ka ndryshuar jetë njerëzish’

“TikTok-u ka ndryshuar shumë jetë njerëzish. Kryesisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por edhe në Shqipëri”, shton ajo.

“Çka vihet re është se, këta individë që e nisin rrugëtimin thjesht si influencues që reklamojnë produkte të caktuara, me kalimin e kohës  – ndoshta brenda një periudhe kohe 1-jeçare apo 2-vjeçare – është treguar se ata arrijnë të hapin biznesin e tyre”.

Referuar menaxheres, ata e kthejnë jo vetëm si diçka fitimprurëse për të bërë bashkëpunime me marka të caktuara, por edhe në të mirën e tyre duke poseduar biznesin e vet.

“Pra, influencuesit nuk po e përdorin ‘pushtetin’ që kanë nëpërmjet mediave sociale vetëm në këtë aspekt, por gjithashtu kanë dëshirën për të krijuar diçka akoma edhe më afatgjatë siç është hapja e një biznesi”, përmbyll Gjini.

Momentet kyçe të përballjes në Kongresin amerikan të shefit të TikTok-ut

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore