Shqipëria

Dibra përfshihet nga ngricat – pa energji elektrike – pa ujë të pijshëm


Temperaturat e ulëta kanë përfshirë të gjithë vendin, por Dibra është një ndër zonat më të prekura.

Gjatë natës së mbrëmshme termometri në qytetin e Peshkopisë ka shënuar vlerën më të ulët -16 gradë nën zero, ndërsa në zonat e thella temperaturat kanë shënuar edhe më shumë.

Zonat e thella të Lurës, Selishtës, Reçit, Luznisë, Sllovës, dhe Kalasë së Dodës janë të izoluara, dhe prej 72 orësh një pjesë e tyre janë edhe pa energji elektrike.

Gjithashtu bëhet me dije se për shkak të motit të keq vijojnë që të jenë pa energji elektrike tre njësi Administrative në Bulqizë: Krasta, Ostreni dhe Trebishti.

Për shkak se tubacionet kanë ngrirë si pasojë e temperaturave shumë të ulëta, një pjesë e qytetit të Peshkopisë është pa ujë të pijshëm.

Policia ka apeluar për përdorimin e gomave të dimrit dhe zinxhirëve dhe theksohet se drejtuesit e mjeteve duhet të shmangin lëvizjet e panevojshme, dhe të reduktojnë shpejtësinë.

Sipas autoriteteve, aksi Peshkopi – Tiranë kalohet pa probleme, por duhet të tregohet kujdes në baypasin e Murrizit gjatë natës dhe në orët e para të mëngjesit.

Ndërsa, aksi Ura e Çerenecit – Librazhd kalohet me zinxhirë, aksi Peshkopi – Kala e Dodës – Kukës kalimi me zinxhirë nga Ura e Veleshicës drejt Vasies dhe aksi Peshkopi – Draj Reç – Kukës kalimi pjesërisht me zinxhirë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore