Lajme

Diaspora e maqedonaseve: Albin Kurti të shpallet person “non grata”


Albin Kurti gjate vizites ne Maqedonine e Veriut se bashku me perfaqesuesit e opozites shqiptare atje

Organizata “Diaspora e Bashkuar Maqedonase” e ka konsideruar si një “grusht shteti kulturor”, vizitën që Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e bëri të premten në Maqedoninë e Veriut, përkatësisht në qytetet e banuara me shumicë shqiptare – Çair dhe Tetovë – madje ata kanë kërkuar nga ekzekutivi maqedonas që kreu i qeverisë kosovare të shpallet person “non grata” në Maqedoninë e Veriut.

Në komunikatën e kësaj organizate, fillimisht thuhet se “fitoren e ka paralajmëruar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili në mes të Shkupit ia ka ndryshuar emrin rrugës ‘Brigada e Dytë Maqedonase’ në ‘Adem Demaçi’”, duke iu referuar përurimit që komuna e Çairit i bëri një rruge të këtij qyteti me emrin e veprimtarit shqiptar, ku prezent ishte edhe Kurti.

“Me këtë lëvizje dhe pushtimin e brigadës që çliroi dhe veproi pothuajse në të gjitha frontet në rajonin qendror dhe lindor të Maqedonisë si dhe në Frontin e Sremskit, Serbi, Kroaci dhe Slloveni, ballistët shqiptarë krijuan një fitore kulturore në qendër të Maqedonisë, në Shkup”, pretendojnë ata.

Diaspora e Bashkuar Maqedonase potencuan se ata “e dënojnë këtë akt si kërcënim për kulturën, kombin dhe një grusht shteti ku një kryeministër i huaj shpall fitoren në mungesë të një lideri politik maqedonas (mikpritës)”.

“DBM kërkon nga Qeveria e Maqedonisë që t’i shkruajë një letër proteste Kosovës, ta shpallë Albin Kurtin person non grata, të flasë hapur dhe seriozisht me bllokun shqiptar për këtë akt totalisht jo shtetëror, duke i kthyer të gjitha pikat e referimit, emrat e rrugëve, korrigjimin e të gjithë flamujve shqiptarë në pajtim me Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë dhe duke vepruar në pajtim me ligjet”, thuhet në reagimin e tyre.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të premten ka vizituar Maqedoninë e Veriut, përkatësisht dy komunat e banuara me shumicë shqiptare – Çair dhe Tetovë.

Në Çair kreu i ekzekutivit kosovar, së bashku me kryetarin e kësaj komune, Visar Ganiu, përuroi një rrugë që tani e tutje do ta mbaj emrin e veprimtarit të shquar shqiptar, Adem Demaçi.

Pas Çairit, Kurti vizitoi Komunën e Tetovës, madje aty iu kishte rezervuar një pritje madhështore, ku për nder të vizitës së tij kjo komunë kishte organizuar një koncert në sheshin kryesor të qytetit.

Mirëpo, në këtë vizitë, ai nuk takoi fare zyrtarët qeveritarë, as ata maqedonas, por as ata shqiptarë.

Ai u takua vetëm me opozitën shqiptare në Maqedoninë e Veriut, përkatësisht me Kryetarin e Lëvizjes Besa, njëherit kryetarin e Tetovës, Bilall Kasami, liderin e Lëvizjes Demokratike – e formuar së voni – Izet Mexhiti, dhe udhëheqësin e Alternativës, Afrim Gashi.

Kryeministri Kurti nuk u takua me liderët e partive më të mëdha shqiptare atje, të cilit janë pjesë e ekzekutivit maqedonas, specifikisht me Ali Ahmetin – liderin e Bashkimit Demokratik për Integrim – dhe Arben Taravari – kryetarin e Aleancës Shqiptare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore