Lajme

Diabeti mbetet i padiagnostikuar në 40% të rasteve


Afro 40 për qind e njerëzve me diabet në mbarë botën mbeten të padiagnostikuar.

Kështu rezulton sipas një studimi të ri.

Sipas tij, shumica e njerëzve që nuk janë diagnostikuar jetojnë në Afrikë (60%), ndjekur nga Azia juglindore (57%) dhe rajoni perëndimor i Paqësorit (56%).

Por gjysma e atyre që janë diagnostikuar nuk marrin trajtim.

Tre në katër persona me këtë sëmundje jetojnë në vende me të ardhura të ulëta dhe të mesme ku njerëzit nuk mund të kenë gjithmonë akses në shërbimet e kujdesit shëndetësor.

Sasha Korogodski, studiuesi kryesor i raportit, ka treguar se më shumë se 530 kompani u zbuluan se ishin të specializuara në diagnostikimin e diabetit në mbarë botën.

Mirëpo, vetëm 33 ishin të vendosura në Afrikë, Azinë juglindore dhe Paqësorin perëndimor.

“Infrastruktura e kufizuar e kujdesit shëndetësor, duke përfshirë mungesën e profesionistëve të kujdesit shëndetësor dhe pajisjeve diagnostikuese, mund të pengojë diagnostikimin e hershëm të diabetit”, ka thënë Korogodski.

Hulumtimi ka marr në shqyrtim më shumë se 2 mijë e 800 kompani, 1 mijë e 500 investitorë dhe 80 qendra kërkimore dhe zhvillimi të fokusuara në këtë gjendje.

Referuar raportit, “pabarazia e madhe” në trajtim thekson nevojën urgjente për të përmirësuar aksesin ndaj kujdesit të njerëzve me diabet në një shkallë globale.

Caroline Mbindyo, shefja ekzekutive e Amref Health Innovations, pjesë e OJQ-së Amref Health Africa, ka treguar se gjysma e të gjithë afrikanëve nuk kanë akses në kujdesin shëndetësor që u nevojitet.

Njerëzit që jetojnë në zona të largëta mund të jetojnë orë ose ditë larg një objekti.

“Realiteti është se koha dhe shpenzimet për të bërë këtë udhëtim do të thotë se ai nuk është as një opsion për shumë në këto komunitete. Është e pamundur që ata të arrijnë në këto shërbime”, ka shtuar ajo.

Në vitin 2021, gati 7 milionë vdekje në mbarë botën ishin rezultat i diabetit pavarësisht nga më shumë se 970 miliardë dollarë të shpenzuara për trajtim, sipas hulumtimit.

Shumica e organizatave në raport janë të vendosura në SHBA.

Më shumë se 70 kompani që prodhojnë ilaçe për diabetin (55%) janë në SHBA me 17 për qind në Evropë.

Tregu global i diabetit është i ndarë kryesisht në katër monopole gjigante, thuhet në hulumtim: Novo Nordisk, Sanofi, Eli Lilly dhe Merck.

Së bashku ato përbëjnë rreth 72 për qind të tregut.

Ndërkohë, diabeti është në rritje.

Urbanizimi i shpejtë dhe efektet e krizës klimatike në të korrat kanë çuar në një rritje të ushqimit të lirë të përpunuar, i cili ka zëvendësuar më shumë burime ushqimore tradicionale në dieta.

“E kombinuar me lëvizjen drejt një stili jetese të ulur, veçanërisht në qendrat urbane, kjo çon në rritjen e rrezikut të zhvillimit të diabetit të tipit 2, hipertensionit dhe kancereve”, ka thënë Mbindyo.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore