Shqipëria

Dhunë në familje dhe ngacmim seksual i të miturve, arrestohen 8 persona në Tiranë


Tetë persona kanë rënë në pranga në Tiranë në 24-orët e fundit, për vepra të ndryshme, ku përfshihen edhe dhuna në familje dhe ngacmimi seksual i të miturve.

Sipas një komunikate zyrtare nga Policia e Shtetit, janë bërë me dije disa raste të tilla dhe është vepruar ndaj tyre.

Njoftimi i plotë:

Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Shkodër ndaluan shtetasin Sh. K., 37 vjeç, banues në Shtoj i Vjetër, Shkodër, pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, e ka dënuar me 4 vjet burgim, për veprat penale “Mashtrimi”, me pasoja të rënda, kryer në bashkëpunim dhe “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin”.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1 arrestuan shtetasin M. M., 54 vjeç, banues në Tiranë, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes dhe djalit të tyre.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2 arrestuan shtetasin S. Z., 42 vjeç, banues në Tiranë, pasi ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj bashkëshortes së tij dhe dyshohet se ka ngacmuar seksualisht djalin e tyre të mitur.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4 arrestuan shtetasit:

– D. C., 34 vjeç, banues në Tiranë, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij;

– L. Sh., 34 vjeç, banues në Tiranë, pasi në rrugën “Xhanfize Keko”, dyshohet se i ka vjedhur 2 aparate celulare një shtetasi.

Specialistët e Komisariatit të Policisë Rrugore arrestuan shtetasit:

– E. F., 22 vjeçe, banuese në Tiranë, pasi duke drejtuar automjetin tip “Benz”, nga bulevardi “Gjergj Fishta”, me drejtim me rrugën “Shefqet Musaraj”, në vendkalimin e këmbësorëve, ka aksidentuar shtetasin T. M., 18 vjeç, i cili ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve;

– K. D., 51 vjeç, banues në Tiranë, pasi duke drejtuar automjetin tip “Benz”, në gjendje të dehur, është përplasur me mjetin tip “Audi”, dhe si pasojë ka vetëm dëme materiale;

– M. R., 26 vjeç, banues në Tiranë, pasi u kap duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur.

Materialet i kaluan Prokurorisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore