Shqipëria

Dhuna në familje dhe shantazhi online, 15 të arrestuar në më pak se 24 orë


Ministri i Brendshëm në Republikën e Shqipërisë, Taulant Balla, në një reagim në mediat sociale ka përgëzuar Policinë e Shtetit për rritjen e vigjilencës dhe reagimin në kohë për të parandaluar dhe goditur rastet e dhunës në familje.

Jo vetëm kaq, por edhe për parandalimin e shantazheve online si dhe rastet e krimeve seksuale dhe përndjekjeve.

Kështu vetëm në 24 orë janë arrestuar në vendin tonë 15 shtetas.

“Inkurajoj viktimat e dhunës, të denoncojnë në Polici këto raste, se vetëm kështu na jepet mundësia të ndërhyjmë në kohë për të parandaluar fatalitetin që sjell dhuna”, shkruan Balla.

Ai thekson se është detyra e Policisë së Shtetit të rrisë vigjilencën, të reagojë me vendosmëri dhunën në të gjitha format e saj, si dhe të marrë masa për të parandaluar dhunën ndaj vajzave dhe grave, për të mbrojtur viktimat dhe për t’i ndjekur penalisht autorët e krimit.

Vetë Balla ka premtuar Policia po rrit vigjilencën dhe forcën parandaluese dhe se është i domosdoshëm bashkëpunimi me publikun, të cilët duhet të drejtohen pa hezitim duke kallëzuar çdo rast shantazhi e dhune përmes mediave sociale.

“Në momentin më të parë të konstatimit duhet denoncuar dhe jo të bini pre e shantazhit”, thotë ministri.

Sipas tij, paralelisht po punohet për ndryshimet ligjore kundër dhunës online, ndërsa ofruesit e mediave sociale po përmirësojnë nivelin e moderimit të mesazheve në gjuhën shqipe.

Disa ditë më parë kryeministri, Edi Rama, ka vizituar zyrat e Tik Tok me zv. Drejtorin e Përgjithshëm të kompanisë Theo Bertram.

Teksa ka ndarë foto nga takimi, Rama thotë se diskutoi me mirëkuptim të plotë për ngjarjet e fundit në Shqipëri dhe nevojën për të rritur vigjilencën kundër dhunës, shantazheve e gjuhës së urrejtjes online.

Gjithashtu ai theksoi se u njoh me masat që po merren nga kompania për të rritur nivelin e moderimit të mesazheve në gjuhën shqipe.

“Ishte kënaqësi informimi mbi nivelin e lartë të vetëdijes së kolosit social Tik Tok, për rreziqet që i kanosen rrjeteve sociale dhe të investimeve të kompanisë në përballimin dhe shmangien e tyre”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore