Kosova

DhSK: Seancat janë publike ato kalojnë në private vetëm kur trupi gjykues vendos ashtu


Zëdhënësi i Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, Michael Doyle.

Zëdhënësi i Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, Michael Doyle, ka thënë se seancat në të cilat po gjykohen ish krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), janë publike përveçse kur trupi gjykues vendos të mbajë seancë të mbyllur ose të kalojë në seancë private.

Këtë deklaratë Doyle e bëri në një konferencë për media ku theksoi se është në interesin publik që ky proces të zhvillohet, për aq sa është e mundur, në mënyrë publike.

“Trupi gjykues udhëzoi palët të mbajnë parasysh parimin e procesit publik dhe lëshoi një urdhër gojor ku kërkoi parashtrime mbi hapat konkretë për të siguruar një shkallë më të lartë publiciteti të procesit gjyqësor”, ka deklaruar ai.

Ai sqaroi se mbrojtja, Prokuroria ose mbrojtësi i viktimave mund të kërkojnë që e gjithë seanca, ose pjesë të saj, të mbahet në seancë private ose të mbyllur.

“Gjykatësit kujdesen që të balancojnë nevojën për të mbrojtur dëshmitarët me të drejtat e të akuzuarve. Pra, edhe kur dëshmia e dëshmitarit nuk është publike, të akuzuarit dhe mbrojtësit e tyre mund të dëgjojnë se çfarë thotë dëshmitari dhe kanë të drejtë ta marrin në pyetje dëshmitarin”, ka thënë ai.

Sa i përket gjykimit të Pjetër Shalës, ai u shpreh se seancat do të vazhdojnë pas dy jave.

“Ato fillojnë të martën, më 30 maj. Duke mbajtur parasysh natyrën publike të procesit, më 15 maj, trupi gjykues në çështjen gjyqësore të Pjetër Shalës urdhëroi palët dhe mbrojtësin e viktimave të bënin rishikimin e transkripteve të seancave gjyqësore nga 1 deri më 3 maj dhe të bënin parashtrime nëse redaktimet ekzistuese mund të hiqen dhe/ose transkriptet mund të riklasifikohen si publike”.

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK), në seancën e së enjtes, në gjykmin ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputetit Rexhep Selimi, mbrojtja e të akuzuarve ka shfaqur shqetësime lidhur me zhvillimin e procedurave në seanca të mbyllura.

Mbrojtësi i Thaçit, avokati Gregory Kehoe tha se për shkak të urdhrit të trupit gjykues për zhvillimin e seancave private apo të mbyllura, dëshirojnë të paraqesin disa vështirësi.

Ai ndër të tjera bëri të ditur se janë kundërshtuar të gjitha masat e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) edhe për masa mbrojtëse.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore