Gjykata Speciale

DhSK: Paneli i Apelit shqyrtoi provueshmërinë e deklaratave të mëhershme të Pjetër Shalës


Zëdhënësi i Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, Michael Doyle

Zëdhënësi i Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, Michael Doyle, ka bërë të ditur se në gjykimin e Pjetër Shalës, paneli i Gjykatës së Apelit ka shqyrtuar aspektin e provueshmërisë së deklaratave të mëparshme të dhëna nga i akuzuari në vitin 2016 dhe 2019.

“Paneli miratoi pjesërisht njërën prej pikave të Apelit të mbrojtjes, duke lënë në fuqi vendimin e trupit gjykues për t’i konsideruar të pranueshme deklaratat e mëparshme përkatëse”, ka thënë Doyle në një konferencë të mbajtur.

Teksa ka thënë se mbrojtësi i Nasim Haradinajt, ka ridorëzuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë në Gjykatën Supreme.

“Më 8 maj, paneli i Gjykatës Supreme urdhëroi mbrojtjen e Haradinajt që ta ridorëzojë kërkesën e vet pasi konstatoi se ishte tejkaluar numri i lejuar i fjalëve”.

“Mbrojta e Haradinajt e ridorëzoi kërkesën më 10 maj 2023, sa u përket hapave të ardhshëm, paneli i Gjykatës Supreme ka urdhëruar Prokurorinë që të dorëzojë përgjigje ndaj parashtrimeve të mbrojtjes në lidhje me mbrojtjen e ligjshmërisë brenda 60 ditësh dhe mbrojtja do t’i ketë 30 ditë pas kësaj që t’i kundërpërgjigjet Prokurorisë”.

Ai shtoi se lidhur me çështjen Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, që të dy u janë drejtuar Dhomës së Gjykatës Supreme të DhSK-së me kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë në lidhje me aktgjykimin e panelit të Gjykatës së Apelit në këtë çështje.

“Dosja e Apelit është një dokument me të cilin mbrojta përshkruan të gjitha argumentet të precedentit gjyqësor, në mbështetje të apelit kundër aktgjykimit, hapi i ardhshëm në procesin e apelit është që Prokuroria dhe mbrojtësi i viktimave t’iu përgjigjen argumenteve të mbrojtjes”.

Lidhur me çështjen gjyqësore të Salih Mustafës, Doyle ka thënë se versioni i redaktuar publik i dosjes së Apelit të mbrojtjes është në dispozicion në faqen e internetit të DhSK-së.

Tutje, ai tha se në të njëjtën çështje gjyqësore më 8 maj ekipet e mbrojtjes së Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit dorëzuan versionin e redaktuar publik të dosjeve paraprake të tyre, të cilat mund të gjenden në faqen e internetit te DhSK-së.

“Sipas rregullores, dosja paraprake e mbrojtjes mund të tregojë në pika të përgjithshme llojin e argumenteve mbrojtëse të të akuzuarit”, ka shtuar Doyle.

Edhe këtë të enjte seanca gjyqësore ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë ka vazhduar të mbahet e mbyllur.

Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, çdo të enjte, në orën 14:30, përmes platformës online “Zoom” mbajnë informim javor ku ofrojnë informacione të përditësuara mbi zhvillimet e fundit lidhur me procedurat gjyqësore dhe veprimtaritë në këtë gjykatë.

Ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe ish-shefi i deputetëve të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, akuzohen për ndërmarrje të përbashkët kriminale lidhur me vrasje, tortura e trajtim mizor në rreth 40 qendra ndalimi në periudhën 1998–1999.

Për këto krime të pretenduara, ZPS-ja pretendon se katër pjesëtarët e Shtabit të Përgjithshëm ishin në dijeni ose kanë pasur arsye të jenë në dijeni.

Ata akuzohen edhe për pjesëmarrje direkte në frikësim, marrje në pyetje dhe keqtrajtim të të ndaluarve nëpër qendra ndalimi. Akuzat i kanë mohuar në tërësi Thaçi, Veseli, Selimi e Krasniqi, e po ashtu edhe mbrojtësit e tyre.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore