Lajme

Dhoma e Përfaqësuesve në SHBA i kërkon intervistë dhe dokument Vuk Jeremiç-it për lidhje eventuale me djalin e Joe Biden


Vuk Jeremiç

Komiteti i Mbikëqyrjes së Dhomës së Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka vazhduar përpjekjet për të hetuar lidhjet biznesore të familjes Biden, duke i kërkuar ish-ministrit serb të Punëve të Jashtme, Vuk Jeremiç, intervistë dhe dokumente në lidhje me Hunter Biden – djalin e presidentit amerikan Joe Biden.

Një letër prej pesë faqesh e siguruar nga NBC News iu dërgua Jeremiç-it, i cili shërbeu si president i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara nga viti 2012 deri në vitin 2013, ndërsa kryetari i Komisionit për Mbikëqyrjen dhe Përgjegjshmërinë, James Comer, e quajti politikanin serb një “dëshmitar kyç në hetimin tonë”.

“Dëshmia e mëparshme e Jeremiç-it për lidhjet biznesore me zyrtarë që morën pjesë në skemat ndërkombëtare të ryshfetit ngre shqetësime se mund të ketë prova se familja Biden dhe bashkëpunëtorët e tyre kanë përdorur ndikimin e tyre në këmbim të favoreve, duke përfshirë edhe persona të lidhur me Partinë Komuniste të Kinës”.

Hunter Biden dhe Joe Biden

“Nëse Presidenti Biden komprometohet nga marrëveshjet me kundërshtarët e huaj, ky është një kërcënim për sigurinë kombëtare. Komiteti i Mbikëqyrjes është i përkushtuar për transparencë dhe llogaridhënie ndaj shpërdorimeve, mashtrimeve dhe abuzimeve që ndodhën në nivelet më të larta të qeverisë. Dokumentet e Jeremiç-it janë vendimtare për këtë hetim”, shtoi Comer.

Letra i referohet rastit të Patrick Ho, një ish-drejtues i një kompanie energjetike kineze, i cili u dënua për shkelje të ligjit në vitin 2018. Jeremiç dëshmoi gjatë gjyqit të Ho-së dhe tha se ai ishte paguar nga kompania kineze si konsulent dhe u përpoq të prezantonte individë me Hunter Biden, megjithëse nuk është e qartë se takimi ka ndodhur.

Washington Post raportoi  në vitin 2022  se projektet e mundshme energjetike që Hunter Biden diskutoi me kompaninë e Ho “nuk u realizuan kurrë”. Wall Street Journal raportoi  në vitin 2020 se “të dhënat e korporatave të shqyrtuara nga Wall Street Journal nuk tregojnë asnjë rol për Joe Biden”.

Jeremiç tha në një email për The Post se ai e njihte Hunter Biden dhe Ye Jianming, një bashkëpunëtor i Ho-së i cili është kryetar i kompanisë energjetike të Kinës CEFC, por se ai nuk ishte i përfshirë në prezantimin e tyre.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore