Shqipëria

Dhoma Amerikane e Tregtisë: Lufta ndaj ekonomisë informale


Dhoma Amerikane e Tregtisë, të mërkurën e 13 tetorit mblodhi Asamblenë e Përgjithshme mbi zgjedhjet për Bordin drejtues. Prezentë ishte ambasadorja e SHBA-ve në Shqipëri, Yuri Kim, ministrja e Financës dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, përfaqësues nga “AmCham Washington” dhe Kompania “Bechtel”.

I pari që mori fjalën ishte presidenti i Dhomës, Enio Jaço, ku deklaroi se Shqipëria duhet t’i orientojë politikat e saj drejt mundësive euro-transantlantike.

Jaço theksoi se e rëndësishme është lufta ndaj ekonomisë së zezë, informale. Kostoja e kësaj të fundit sipas Presidentit e paguhet nga biznesi i rregullt.

Duke iu referuar indeksit vjetor të “AmCham”, Jaço bëri me dije se krahas praktikave të padrejta, biznesi po përballet me sfida. Ai ngriti shqetësimin se ka një tendencë të largimit të talenteve ë rreja profesionale nga Shqipëria.

“Ka një shqetësim në rritje dhe pakënaqësi me politikat e brendshme të vendit. Si rrjedhojë e kësaj situate, talente të reja profesionale janë duke parë mundësitë e largimit nga Shqipëria. Nëse duam të ndërtojmë vërtetë një ekonomi konkurruese, kjo është një kosto për të gjithë ne – përfshirë bizneset tona, vijoi ai.

Jaco
Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Enio Jaço

Jaço bëri një pasqyrë të situatës si operojnë bizneset nga ajo e pastër te informalja. Sipas tij janë tre hije që karakterizojnë ekonominë shqiptare.

“Është ekonomia e bardhë, e cila është e pastër, por është edhe ekonomia gri dhe ajo e zezë. Dhe ju – duke ju drejtuar anëtarëve – punoni me ekonominë e pastër por jeni duke paguar kostot e anës së errët të ekonomisë. Kjo nuk është e drejtë dhe duhet të marrë fund”, u shpreh Jaço drejtuar kompanive anëtare.

Nga ana tjetër ai i bëri thirrje qeverisë që të përpiqet më shumë për krijimin e praktikave të drejta, konkurruese dhe të ndershme.

Presidenti nuk la pa shprehur mirënjohjen për anëtaren më të re të Dhomës, kompanisë “Bechtel”. Ai shprehu optimizëm se me klimën e duhur të tjera investime amerikane do të bëhen realitet në Shqipëri.

Përveç “Bechtel”, Jaço njoftoi se dhe dy kompani të tjera amerikane “Excon Mobile” dhe “Accelerate” kanë shprehur interesin për eksplorimin e një tjetër projekti energjetik.

Në përfundim ai u ndal të Agjenda e Investimeve dhe paketa e “AmCham” . kjo e fundit ka të bëjë me 40 ndërhyrje ligjore për përmirësimin e klimës së biznesit – me thirrjen për të punuar bashkë me Qeverinë dhe forcat politike në Komisionet Parlamentare për implementimin e saj.

Demokraci, mbrojtje dhe biznes

Ambasadorja Yuri Kim e shprehu qartë në fjalën e saj se prioritet për SHBA-të vazhdon të jetë trinomi demokraci, mbrojtje dhe biznes.

“Jam e kënaqur që po udhëheq ambasadën në një shtysë për të ngritur ekonominë tonë në një nivel”, vijoi Kim.

Sipas saj nga Shqipëria mund ë përfitohet shumë duke nisur me ekonomi në rritje, qasje në shumë produkte dhe më shumë mundësi për rininë.

Ajo u ndal të nënshkrimi i bërë një vit më parë për Memorandumin dypalësh për ekonominë.

Yuri Kim
Ambasadroja e SHBA-ve, Yuri Kim

Kjo e fundit, sipas Kim, ka dhënë rezultat e veta pozitive duke përmendur ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës.

“Ky projekt shoqërohet nga një në Vlorë, që është një shembull tjetër i fortë dhe nëse ka sukses do të jetë projekti më i madh në Shqipëri i bërë nga një kompani amerikane”, theksoi Kim.

Kim nuk la pa përmendur dhe reformën në drejtësi, e cila vijueshmëria e saj do të sjellë konkurrencë më të ndershme, që është parësore që të gjithë investitorët të luajnë me të njëjtat rregulla.

Ajo e mbylli fjalën duke dhënë mesazhin se, “gjatë 30 viteve të fundit kemi bërë rrugë të gjatë, por kur shohim atë që ka ndodhur them se e ardhmja do të jetë më e ndritur”.

Përmirësimi i klimës së biznesit

Gjatë konferencës ministrja Ibrahimaj tha se politikat e Shqipërisë duhet të fokusohen te përmirësimi i klimës së biznesit.

Ajo theksoi faktin se ka ende shumë punë në luftën kundër pastrimit të parave dhe korrupsionit.

Ajo theksoi faktin se ka ende shumë punë në luftën kundër pastrimit të parave dhe korrupsionit. Ibrahimaj u ndal te procesi i fiskalizimit ku që prej marrjes së detyrës së re, është njohur me rekomandimet e Dhomës së Tregtisë.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj

“Dëshmi e qartë për mbështetjen e biznesit janë reduktimi i burokracive dhe rritja e konkurrencës” vijoi ajo.

Më tej shtoi se fokusi i saj është në rritjen e ekonomisë prej 7.6%, pas goditjes së tërmetit të nëntori 2019 dhe pandemisë së COVID-19.

“Ka shumë për të bërë në respektimin e kontratave, por reforma në drejtësi është një mbështetje”, u shpreh Ministrja.

Në përfundim tha se, “korrupsioni dhe informaliteti janë problemet që kemi më shumë sot dhe këtu do fokusohet edhe puna jonë duke ngritur sisteme për të lehtësuar bërjen e biznesit në Shqipëri”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore