Sport

DFB Pokal, luhen ndeshjet e fundit të raundit të dytë


Kupa e Gjermanisë ose siç njihet ndryshe si DFB Pokal do të vijë këtë të mërkurë me tetë ndeshjet e fundit të raundit të dytë. Mes skuadrave që do të zbresin në fushën e blertë janë Bayern Munich-u, Bayer Leverkusen-i, Borussia Monchengladbach-u, Stuttgart-i, Koln-i, apo dhe Union Berlin-i.

Të martën u luajtën tetë ndeshjet e para të raundit të dytë. Skuadrat që mundën të siguronin një biletë për në raundin tjetër ishin: Leipzig-u, Hertha, Hoffenheim-i, Borussia Dortmund-i, Freiburg-u, Hamburger-i, Mainz-i dhe Munchen 1860.

Bayer Leverkusen do të presë Karlsruher-in e Bundesliga 2, duke filluar nga ora 18:30. Kjo do të jetë përballja e dytë në DFB Pokal mes tyre, pas asaj në vitin 2017, e përfunduar me fitoren 3-0 të Leverkusen-it.

Union Berlin-i do të përballet në transferte me Waldhof Mannheim-in e Liga 3, duke filluar nga ora 18:30. Kjo do të jetë përballja e parë historike mes dy skuadrave.

Bochum-i do të presë Augsburg-un, duke filluar nga ora 18:30. Një përballje mes dy skuadrave nga Bundesliga, por që do të jetë e para në DFB Pokal.

Dynamo Dresden-i do të presë St. Pauli-n, duke filluar nga ora 18:30. Të dy skuadrat janë pjesë e Bundesliga 2. Kjo do të jetë përballja e parë mes tyre në Kupë.

Borussia M’gladbach përballë Bayern Munich-ut do të jetë sfida më e rëndësishme e ditës në Kupën e Gjermanisë. Një finale e parakohshme mund të cilësohet kjo përballjë që do të fillojë nga ora 20:45.

Vendasit këtë sezon kanë qenë ndër të vetmet skuadra që i kanë marrë pikë Bayern-it, pas atij barazimi 1-1 në ndeshjen e parë të Bundesliga-s.

Për herë të fundit, dy skuadrat në Kupën e Gjermanisë janë përballur në vitin 2012. Ndeshja përfundoi me rrjeta të paprekura.

Stuttgart-i do të presë Koln-in, duke filluar nga ora 20:45. Një tjetër duel mes skuadrave nga Bundesliga. Për herë të fundit në DFB Pokal, dy skuadrat përballeshin në vitin 2012. Ndeshja përfundonte me fitoren 2-1 të Stuttgart-it.

Hannover 96 do të presë Fortuna Dusseldorf-in, duke filluar nga ora 20:45. Skuadrat janë pjesë e Bundesliga 2. Përballjen e fundit në Kupë e kanë në vitin 2016. Atë ndeshje e fitonte Hannover-i me rezultatin e thellë 6-1.

Jahn Regensburg-u do të përballet me Hansa Rostock-un, duke filluar nga ora 20:45. Edhe në këtë rast, përballja është mes skuadrave nga Bundesliga 2. Kjo ndeshje do të jetë e para mes tyre në Kupë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore