Kosova

Dështon prapë të miratohet Ligji për caktimin e çmimeve tavan


Për herë të dytë ka dështuar të miratohet Ligji për caktimin e çmimeve tavan të produkteve esenciale në Kuvendin e Kosovës, pasi në sallë kanë qenë vetëm 70 deputetë.

Partitë opozitare ishin kategorikisht kundër projektligjit për masat e përkohshme të produkteve themelore, e prezantuar nga ana e Ministres së Industrisë, Rozeta Hajdari, me pretekstin se Kosova ka ekonomi të tregut me konkurrencë të lirë.

Sipas Deputetes së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, me Projektligjin në fjalë po bëhet shkelje kushtetuese.

“Me vendosjen e çmimeve tavan ju nuk mund ti ulni çmimet në bizneset e mëdha, do të arrini të ndërhyni në biznese të vogla në fshatra dhe qytete dhe askush përveç tregtarëve të mëdhenj nuk do të përfitojë. Me vendosjen e çmimit tavan ju e mohoni konkurrencën”, ka thënë Bajrami.

E në anën tjetër sipas kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, me miratimin e projektligjit për çmimet tava në produktet bazë, funksionimi i mini-marketeve bëhet e pamundur.

“Një prej parimeve themelore të shtetit është ekonomia e tregut që thotë se Kosova ka ekonomi të tregut me konkurrencë të lirë. Ky është bazamenti, dhe këtë ju sot po dëshironi ta rrëzoni. Nuk po kuptoj se si po mundohemi ta arsyetoni këtë projektligj. As edhe për një javë ky nuk arsyetohet”, ka thënë ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore