Kosova

Dështon intervistimi i kandidatëve për ambasadorë


Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporë

“Haki Abazi nuk ka arritur të sigurojë kuorumin nga deputetët e pozitës dhe nuk ka të drejtë të ankohet për ne”, ka deklaruar për Albanian Post, Time Kadrijaj, deputete nga radhët e AAK-së.

Ajo bashkë me deputeten e PDK-së Ariana Matoshi, u akuzuan se “sabotuan procesin e caktimit të ambasadorëve”, nga Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Haki Abazi, pasi që e lëshuan sallën ku do të dëgjoheshin kandidatët për ambasadorë.

“Relacioni në këtë komision është 7 deputet nga pozita dhe 4 nga opozita, të pranishëm sot në këtë komision ishin vetëm 5 deputetë të pozitës dhe ne dyja”.

“Abazi, pasi që ka dështuar të sigurojë kuorumin, e ka gjuajtur fajin te ne”, ka thënë Time Kadrijaj për AP.

“Unë kam qenë vetë kryetare e këtij komisioni dhe asnjëherë nuk kam thirrur takim të këtij niveli pa siguruar kuorumin e pozitës”, ka treguar ajo, duke shtuar se po akuzohet pa të drejtë.

“Abazi nuk a arritur që të sigurojë kuorumin dhe nuk është e drejtë të ankohet për ne”.

“Dhe nëse atyre deputetëve nuk ju intereson intervistimi i personave politik për t’i vendosur në këto pozita po ashtu politike, pse të jemi ne të interesuar” ka vazhduar Kadrijaj.

Ajo e ka quajtur dështim të qeverisjes aktuale mos zgjidhjen e problemit me emërimin e ambasadorëve të rinj, të cilët u shkarkuan para katër muajsh.

“Është dështim i politikës së jashtme mos zgjedhja e kandidatëve deri tani dhe emërimi i tyre në ambasadat e caktuara, nëse kemi dështim total të kësaj nuk ka të drejtë të akuzoj opozitën”, ka thënë deputetja Time Kadrijaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, duke shtuar se përveç dështimit, Abazi ka bërë shkeljen e radhës duke e publikuar datën e mbajtjes së këtij takimi i cili sipas rregullores, është konfidenciale.

“Këto mbledhje janë konfidenciale dhe nuk është dashur ta bëj publike fare këtë çështje, dhe ne nuk e kemi bërë publike këtë çështje deri sa ka reaguar z.Abazi”, ka përfunduar deklaratën Time Kadrijaj.

“Që nga marrja e mandatit të Ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Znj. Gërvalla-Schëarz ka qenë jo-serioze në bashkëpunimin e saj me Komisionin për Punë të Jashtme dhe Diasporë”, ka deklaruar për Albanian Post, Ariana Musliu Shoshi, deputetja nga PDK, e akuzuar nga Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Haki Abazi.

“Komunikimi mes nesh dhe MPJD-së ka qenë thuajse inekzistent, ndërsa transparencë nuk ka pasur fare” ka shtuar më tej ajo.

“Në këtë mbledhje të thirrur për të intervistuar pesë kandidatë për Ambasadorë të Republikës së Kosovës, neve na është lënë shumë kohë e shkurtër në dispozicion për të analizuar profilet e tyre. Këtu duhet të kemi parasysh që Kuvendi është në pushim, prandaj edhe thirrja e mbledhjeve shpejtë e shpejtë është e papranueshme, pasi që në këtë formë po tentohet të kthehet Komisioni në patericë të MPJD-së”, ka deklaruar deputetja Musliu – Shoshi.

“Është tentuar që procedura në Komision të shkojë sa për sy e faqe, në pamundësi për t’u njoftuar në thellësi me profilet e kandidatëve”.

“Komisioni ka pranuar vetëm pesë kandidatë. Marrë parasysh se Kosova ka gjithsej 32 misione diplomatike, e ligji parasheh që 50% e shefave të jenë me çelës politik, ne nuk kemi një qartësi se ku janë edhe 11 kandidatë të tjerë, të cilët MPJD ka pasur mjaftueshëm kohë për t’i identifikuar, mirëpo nuk kemi një transparencë sa i përket këtij procesi”, ka deklaruar Ariana Musliu – Shoshi, për Albanian Post.

Ajo ka theksuar se për këtë problem, ka përzierje të kompetencave.

“Ne duhet të kemi parasysh se MPJD i raporton Kuvendit, e jo anasjelltas. Deri më tani, kemi pasur një qasje neglizhuese ndaj Kuvendit në Përgjithësi, e ndaj Komisionit për Punë të Jashtme e Diasporë në veçanti. Duhet qartësuar fakti se deputetët nuk janë instrumente të cilët Ministritë i përdorin për të arritur qëllimet e tyre”, ka përfunduar deputetja e PDK-së.

Të premten, ka qenë e paraparë të mbahet takim për dëgjimin e kandidatëve për ambasador në 20 vende të ndryshme. Mirëpo, kjo mbledhje për caktimin e ambasadorëve ka dështuar.

Lidhur me këtë ka reaguar, kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporës, Haki Abazi, duke hedhur fajin tek opozita për mos mbajtjen e takimit për dëgjimin e kandidatëve për ambasadorë, duke e shtyrë mbledhjen për një datë tjetër.

“Prezent në takim kanë qenë: Adelina Grainca, Bahrim Shabani, Dimal Basha, Fitore Pacolli, Haki Abazi. Arjana Shoshi nga PDK dhe Time Kadrija nga AAK kanë nënshkruar në fletëprezencën dhe kanë lëshuar takimin duke e bërë të pamundur zhvillimin e dëgjimit të kandidatëve dhe rrjedhimisht dëgjimi shtyhet për një datë tjetër”, ka shkruar Abazi në Facebook.

Duke shtuar se “ky veprim është sabotim i procesit të caktimit të ambasadorëve. Gazmend Gjyshinca dhe Xhavit Haliti kanë paralajmëruar pamundësinë për pjesëmarrje për shkak të vizitave jashtë vendit’’.

Edhe, ish-ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka shkruar në llogarinë e tij në Facebook se pas përfundimit të memorandumit që u arrit me 4 shtator vitin e kaluar “Serbia ka përgatitur një ofensivë për tërheqjen e njohjeve të Kosovës”, derisa “vendi ynë ka mbetur pa ambasadorë në 20 misione diplomatike”.

Më 31 gusht Ambasada e Kosovës në Shqipëri ka mbetur pa ambasador.

Misioni i ambasadorit të Kosovës në Shqipëri, Nait Hasani, ka përfunduar, ashtu si edhe e 10 ambasadorëve të tjerë të Kosovës nëpër vende të ndryshme të botës.

Po ashtu, pa ambasador, Kosova ka mbetur edhe n Kroaci. Kryediplomati kosovar në shtetit Kroat, Gëzim Kasapolli, ka njoftuar se pas katër vjetësh punë si ambasador në Kroaci tashmë e ka dorëzuar këtë detyrë.

Njëjtë si Kasapollit, edhe Ambasadori i Kosovës në Australi, Hajdin Abazi, ka njoftuar në Facebook se e ka përfunduar misionin si ambasador i këtij shteti. Por, siç ka deklaruar dhe vetë Abazi, nuk kishte kujt t’ia dorëzonte postin meqë Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporë në Kosovë nuk i ka dorëzuar e as emëruar ende diplomatët e rinj që do ta përfaqësojnë Kosovën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore