Kosova

Dështon gjykimi ndaj Ikballe Berishës, akuzohet për veprën penale shtytje në vepra terroriste


Ikballe Berisha-Huduti

Është shtyrë seanca në rastin e Ikballe Berisha-Huduti, e cila akuzohet për shtytje në kryerjen e veprave terroriste në Departamentin Special të Gjykatës Themelore të Prishtinës.

Avokatja e të akuzuarës, Kosovare Kelmendi, ka thënë se klientja e saj nuk mund të jetë prezent në gjykatë për shkaqe personale.

Pas arsyetimit të avokatës, kryetarit i trupit gjykues, gjykatësi Vesel Ismajli seancën e ka shtyrë për 22 nëntor 2021.

Ndërkaq, e akuzuara, Ikballe Berisha-Huduti, në një postim në rrjetin social Facebook ka njoftuar se i ka vdekur djali nga virusi COVID-19.

“Gëzimi i parë i nanës biri im Ahmedi sonte na la përgjithmonë. Ne te Zotit jemi dhe atij do ti kthehemi, po sot babai i Noah Husejnit na la pa prit pas infektimit me COVID dhe me shtrëngim gjoksi . Shkove bir Ahmed,  ma la me plage zemrën time edhe për sa kam jetë. Por do të duroj se Zoti kështu paska deshtë.  Zoti vendosi të me sprovoj edhe me këtë dhimbje që qenka kapak i të gjitha dhimbjeve që mund të ekzistojnë në botë”, ka shkruar ajo.

Ky rast fillimisht i ishte ndarë në punë gjykatëses Albina Ramaj–Shabani, mirëpo pas rritjes së numrit të gjykatësve në këtë departament, ky rast i është caktuar gjykatësit Vesel Ismajli.

Sipas aktakuzës së përpiluar me 30 shtator 2020, Ikballe Berisha-Huduti akuzohet se me 4 janar 2020, përmes rrjetit social “Facebook” kishte postuar thirrje me përmbajtje kërcënuese, duke bërë nxitje për hakmarrje pas vrasjes nga ushtria Amerikane e Qassem Solejmani-gjeneral dhe udhëheqës i gardës revolucionare të Iranit dhe gjeneral Ebu Mehdi Muhendisi.

Në aktakuzë thuhet se e akuzuara kishte postuar tekstin “Populli Irakian doli në rrugët e Irakut menjëherë pas krimit amerikan, për të dënuar ashpër padrejtësinë që iu bë dy figurave eminente në Irak e Iran dy gjeneralët të tyre Gjeneral Sylejmani dhe Gjeneral Ebu Mehdi Muhendisi. Zoti i dasht durimin ngase të mbysësh Zotin e shtëpisë i ke mbytë tërë anëtarët e shtëpisë, e pastaj hakmarrja është obligim, por nuk ka kufi”.

Për këtë postim, PSRK po pretendon se e njëjta kishte shkaktuar rrezikun që një ose më shumë vepra të tilla të kryhen.Më këtë veprim, PSRK-ja po e akuzon atë për kryerjen e veprës penale “Shtytja për kryerjen e veprave terroriste”, nga neni 134 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore