Dështimi në Bruksel: Kosova kërcënohet me “pako të re” të masave ndëshkuese

SHFLETO

Ilustrim

 

Armat Matoshi
18.09.2023 8:10
Loading Icons...

Me dështimin e raundit të ri të negociatave në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian (BE), janë rritur edhe gjasat që BE-ja t’i ashpërsojë edhe më tej “masat ndëshkuese” ndaj palës kosovare, duke marrë parasysh se për “kolapsin e negociatave”, këtë herë përgjegjëse është konsideruar ekskluzivisht Qeveria e Kosovës.

Për mungesën e rezultateve në funksion të zbatimit të Marrëveshjes Bazë nga takimi i së enjtes mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, ka drejtuar gishtin në drejtim të kreut të ekzekutivit kosovar për, siç ka thënë, mosgatishmërinë e tij për të pranuar propozimin e BE-së për kompromis.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka deklaruar të premten në një konferencë për media se “masat ndëshkuese” kundër Kosovës mund të hiqen paralelisht me progresin në dialog dhe fillimin e zbatimit të marrëveshjeve, por ato mund edhe të rëndohen, varësisht çfarë drejtimi merr rruga drejt normalizimit të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.

“Masat e përdorura në rastin e Kosovës janë masa të përkohshme, masa që janë aprovuar nga shtetet anëtare. Të gjithë janë pajtuar që tani ne duhet të përdorim edhe shkopinj e jo veç karota. Ato do të qëndrojnë për aq gjatë sa shtetet anëtare e shohin të nevojshme. Gjithashtu, mund t’i zbusim, por edhe mund t’i rëndojmë. Vendet anëtare të BE-së do të vendosin se çfarë do të ndodhë”, ka paralajmëruar Stano.

Kosova aktualisht po përballet me “shkopinj të rëndë” për shkak të nxitimit të pakujdesshëm të zyrtarëve institucionalë dhe degjenerimit të bashkëveprimit diplomatik me bashkësinë e organizuar ndërkombëtare në lidhje me adresimin e krizës në pjesën veriore të vendit të banuar me serbë etnikë, ndërsa ashpërsia e të cilëve parashihet të rritet varësisht rrethanave në procesin e dialogut.

Se mund të kishte pasoja jashtëzakonisht serioze për Kosovën nëse kryeministri Kurti nuk përmbushë pritshmëritë e bashkësisë së organizuar ndërkombëtare dhe për më tepër nuk tregohet i gatshëm për të çuar përpara procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, zëdhënësi i BE-së kishte paralajmëruar qysh më 14 qershor, atëherë kur tensionet në veri ishin ende shumë të larta.

“Ka një sërë masash, apo propozime për një sërë masash. Disa prej tyre tashmë kanë hyrë në fuqi menjëherë. Disa prej tyre janë ende duke u diskutuar dhe vendet anëtare do t’i zbatojnë gradualisht, nëse nuk do të ketë ndryshim të qasjes së autoriteteve të Kosovës. Spektri është relativisht i gjerë”, kishte thënë Stano nga salla e konferencave në Bruksel.

Në paketën e “masave ndëshkuese” të BE-së, përveç thellimit të “plagëve financiare”, përfshihet edhe pezullimi i vizitave dhe takimeve bilaterale të nivelit të lartë me liderët e shteteve anëtare, përveç rasteve që kanë të bëjnë me adresimin e krizës politike dhe të sigurisë në veriun e trazuar të vendit të banuar me shumicë serbe dhe çështjeve të dialogut.

E mundësia e përballjes së Kosovës me pasojat e masave shtesë për shkak të dështimit të rundit të fundit të dialogut në Bruksel nuk është përjashtuar as nga burime diplomatike në Bruksel. Zyrtarë të BE-së kanë thënë për “Radio Evropa e Lirë” se kryediplomati evropian ka shprehur gatishmëri të rekomandojë heqjen e masave nëse takimi do të kishte sukses.

Por raundi i ri i “negociatave të vështira” diplomatike nën kujdesin e BE-së nuk ka arritur t’i përmbushë pritshmëritë në aspektimin e krijimit të atmosferës së normalizimit të marrëdhënieve, pajtimit dhe zbatimit të shpejtë të angazhimeve që palët kanë marrë përsipër veçanërisht në fund të shkurtit në Bruksel dhe më pas në mes marsit në Ohër, duke rritur shkallën e presionit ndaj Kosovës.

Kryeministri Kurti vazhdimisht është kujdesur të tregojë se “masat ndëshkuese” janë pjesë e “asimetrisë në raporte” dhe se “sa më parë që të hiqen aq më mirë për të gjithë” sepse “shërbimet shtetërore po vuajnë” për shkak të tyre, porse njëkohësisht ka hedhur poshtë të gjitha propozimet e BE-së për të çuar përpara procesin normalizues, duke “sakrifikuar” edhe lidhjet me Perëndimin, veçanërisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA).

Shpresa që nxjerr kryet për të marrë paksa frymë, posaçërisht pas tensioneve në pjesën verioriore të Kosovës dhe bllokimit të ecurisë së procesit të dialogut që i mbajti të zënë diplomatët perëndimorë përgjatë gjithë kësaj kohe, duke se po fundoset përsëri e zhgënjyer, duke zbehur edhe perspektivën e normalizimit të marrëdhënive mes Kosovës e Serbisë.