Lajme

Dështimi i suksesshëm i Qeverisë me Telekomin e Kosovës


Me kryeshefin e Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqin, të burgosur për keqpërdorime, Telekomi i Kosovës u prezantua si tregim suksesi i Qeverisë për menaxhimin e ndërmarrjeve publike, por të dhënat e fundit nga raporti i Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), tregojnë se operatori Vala ka humbur tregun vazhdimisht në Kosovë dhe rënia më e madhe ka ndodhur vitin e kaluar.

Në raportin e ARKEP-it, i publikuar në dhjetor, te rubrika “ndarja e tregut të telefonisë mobile sipas përdoruesve”, Vala ka 46.5 për qind të tregut, shifra më e ulët e dokumentuar që nga viti 2017.

Për krahasim, në vitin 2017 kishte 60 për qind, në vitin 2018 pati 50 për qind, në vitin 2019 prapë ishte kthyer në 60 për qind dhe një vit më pas ishte ngritur në mbi 60 për qind.

Por, rënia ka filluar që nga viti 2021 duke përfunduar në shifrat më të ulëta të regjistruara ndonjëherë.

Me rënien e Valës janë ngritur operatorë të tjerë si Ipko që në vitin 2022 shënoi rritjen më të madhe ndonjëherë, duke kaluar në mbi 50 për qind.

Të dhënat nga raporti i Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare

Edhe sipas të hyrave, raporti tregon se Vala nuk ka qenë asnjëherë më dobët se tani me vetëm 40.3 për qind, shifra më e ulët sërish që nga viti 2017 kur kishte mbi 55 për qind.

Prapë, në kurriz të kësaj ka përfituar operatori Ipko që është ngritur në mbi 56 për qind.

Të dhënat nga raporti i Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare

Pyetur nga Albanian Post, përgjigja nga zyra për media e Telekomit të Kosovës ka qenë se megjithatë “shihet se jemi fare pak nën konkurrencë”.

“Për të qenë se më korrekt në raportim, viteve të fundit lista e përdoruesve pastrohet dhe përfshihen vetëm përdoruesit aktivë të muajve të fundit”, thuhet në përgjigjen e zyrës për media.

Edhe për rënien në të hyra, arsyetimi është se “çmimet e Telekomit janë më të ulëta se të konkurrencës, e si rrjedhojë marrim përqindje më të vogël në të hyrat totale”.

Në pyetjen e AP-së se përse ka pasur rënie të vazhdueshme krahasuar me vitin 2017 është thënë se “pas fillimit të përdorimit të internetit në telefonat mobilë, orientimi i konsumatorëve ka qenë kah interneti mobil dhe të hyrat kryesore burojnë nga ky segment”.

Megjithatë, raporti i ARKEP-it tregon se në këtë sektor – mbulueshmërinë me rrjet të internetit – Telekomi i Kosovës qëndron akoma më dobët se në telefoninë mobile.

Në raport, rubrika “ndarja e tregut”, shfaq se Telekomi i Kosovës nuk është as në top tre operatorët në treg me vetëm 6 për qind mbulueshmëri, derisa nuk bën pjesë në këtë top tre, as sa u përket të hyrave për operatorë.

Të dhënat nga raporti i Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare

Një tjetër arsyetim nga Telekomi i Kosovës në përgjigjet për Albanian Post ishte edhe se janë dëmtuar “si pasojë e kontratës tejet të dëmshme me Z-Mobile”, pasi “kjo kompani shfrytëzonte dobësitë e kontratës për të shitur me çmime nën vlerën reale shërbimet që realisht krijoheshin nga rrjeti i Telekomit”.

“Telekomi në vitin 2017 dhe në vazhdimësi, për të ruajtur konsumatorët është detyruar të ulë çmimet e shërbimeve, pra është detyruar nga qasja ‘e egër/ jo legale’ që e ndiqte Z-mobile, e të cilën ja mundësonte kontrata skajshmërisht e pafavorshme që kishte me Telekomin, të cilën kontratë TK e ka denoncuar në prokurori si korruptive. Pas skadimit të kontratës me Z-Mobile, qasja e Telekomit ka qenë që të ketë kujdes në lëvizjen e çmimeve dhe të mos e shfrytëzojë këtë si mundësi që të afektojë konsumatorët”.

“Kjo është reflektuar edhe në të hyrat”, thuhet në përgjigje.

Megjithatë, shifrat tregojnë se shtrirja në treg e telefonisë mobile dhe të hyrat e Telekomit nga telefonia mobile më të mëdha kanë qenë edhe në kohën sa kishte kontratë me Z-Mobile, sesa në tre-mujorin e fundit të vitit të kaluar.

Nga Telekomi kanë pasur një shpjegim edhe për këtë.

“Mënyra e raportimit të të hyrave në të kaluarën nga Telekomi kishte tendencë të manipulimit”, thuhet në përgjigje.

Sipas zëdhënësit të Telekomit, Fadil Lepaja, atëherë nuk paraqiteshin të dhënat e vërteta, por jepeshin numra më të lartë.

“Ndërsa viteve të fundit raporti i të hyrave është më real dhe më i saktë (për shembull të hyrat raportoheshin në vlerën bruto ndërsa zbritjet në shitje që ofroheshin raportoheshin si shpenzime e jo si zvogëlim i të hyrave siç kërkohet me standarde). Në raportet e ARKEP nuk ka shumë detaje për të kuptuar mënyrën e raportimit nga operatorët e tjerë”.

Përkundër rënies në mbulueshmëri dhe në të hyra nga telefonia mobile, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, u ka thurur lavde dy kryeshefeve të Postës dhe Telekomit, Burbuqe Hanës dhe Nora Rracit.

“Buqja e Nora janë shembuj se si duhet punuar e luftuar për ndërmarrjet tona publike, e kjo dëshmohet nga rezultatet e punës së tyre”, shkroi me 10 maj në llogarinë e saj në Facebook Rizvanolli.

Në fakt, në fundvitin e kaluar, Prokuroria e Shtetit pati konfirmuar se ka nisur hetimet për rastin e falsifikimit të përvojës së punës nga Burbuqe Hana.

Ajo po hetohej bashkë me Ushtruesen e Detyrës së Burimeve njerëzore në Telekom, Leonora Syla.

Sipas informacioneve të atëhershme, Burbuqe Hana dhe Leonora Syla, dyshohej se kanë falsifikuar dokumentin zyrtar të dorëzuar në aplikacionin për pozitën e Kryeshefit Ekzekutiv të Telekomit të Kosovës me datë 15.11.2022 nga Burbuqe Hana.

Kështu ato kishin vënë në lajthitje Bordin e Drejtorëve dhe komisionin britanik, të cilët e kishin kaluar procesin e intervistës pa plotësuar kushtet ligjore dhe kushtin e konkursit për 5 vite përvojë menaxheriale, që në këtë mënyrë t’i mundësohet kundërligjshëm emërimi si Kryeshefe Ekzekutive, Burbuqe Hanës.

Në përvojën e punës të dorëzuar në dosjen e aplikacionit për Kryeshefe, dyshohet se Hana kishte falsifikuar pozitat e punës, të cilat cilësohen si raste të posaçme të falsifikimit të dokumenteve konform nenit 391 të Kodit Penal.

Albanian Post ka provuar të marrë një koment për vijimin e hetimeve në rastin e Hanës, por nga Prokuroria kanë refuzuar ta komentojnë rastin.

Raporti i plotë i ARKEP-it:

Pasqyra-e-tregut-tÃ-KE-_IndikatorÃt-kryesor-pÃr-TM3-2022

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore