Gjykata Speciale

Dëshmitari i tetë: S’kam pasur informacion se kur është formuar Garda Kombëtare


Gjykata Speciale.

Dëshmitari i tetë me kodin 04323 në gjykimin ndaj ish krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për Gardën Kombëtare ka thënë se nuk ka informacione të sakta se kur është formuar.

Ai në gjykatën Speciale ka deklaruar se kjo mund të ketë ndodhur para apo pas luftës.

‘‘Nuk kom pas informacion kur, por pas përfundimit të luftës më kanë caktuar në këtë njësit, kur është formuar, është formuar para luftës apo pas luftës nuk kam pas informacion”, tha ai.

Ai i pyetur nga prokurorja e specializuar, Silvia D’Ascoli, ka sqaruar se deytra e tij ishte vetëm sigurimi i shtabit të zonës operative.

“Detyrë ishte sigurimi i shtabit të zonës operative që ka ekzistuar në atë kohë, duke shtuar se nuk kanë pasur ndonjë detyrë tjetër të caktuar për arsye se sipas dëshmitarit, kishte filluar procesi transferimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në një forcë civile- mbrojtëse”.

Ai shtoi se “komandant i njësitit të Gardës Kombëtare ishte personi me numër 5 dhe me sa i kujtohet ky njësit ka raportuar direkt në Zonën Operative të Llapit, shtabit të zonës”.

Seanca po vazhdon në sesion privat.

Edhe të hënën e 12 qershorit, që njëkohësisht ishte edhe Dita e Çlirimit të Kosovës, Specialja kishte vazhduar deklaratën në dëgjimin e dëshmitarit të tetë.

Edhe pse një seancë është mbajtur e mbyllur, në disa pjesë seanca ka kaluar në seancë publike.

Dëshmitari ka deklaruar rreth stërvitjeve që janë mbajtur në komunën e Podujevës, mënyrën si stërviteshin, informacionet që merrnin nga stërvitja dhe numrin e ushtarëve që merrnin pjesë.

Edhe seancat e kaluara në Gjykatën Speciale në Hagë kanë qenë të mbyllura për publikun.

Para kësaj seance, e fundit në Hagë ishte mbajtur ndaj Pjetër Shalës më 6 qershor, ku dëshmitari i shtatë kishte dhënë deklaratën e tij, por në seancë private.

Dëshmitari i tetë: Në zonën operative të Llapit kemi qenë pothuajse 200 ushtarë

Për çka po akuzohen ish krerët e UÇK-së?

Ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi dhe ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqit rëndojnë akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Që nga nëntori i vitit 2020 ata gjenden në paraburgim në Hagë dhe janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që rëndojnë ndaj tyre.

Sipas aktakuzës fillestare, Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi dyshohen për veprat penale që kanë të bëjnë me krime lufte: ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit: burgosje, akte të tjera çnjerëzore, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje, të cilat, sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer midis marsit të vitit 1998 dhe shtatorit 1999.

Gjykata Speciale.

Krimet pretendohet se janë kryer në disa lokacione të Kosovës dhe në veri të Shqipërisë.

Më 10 maj, Prokuroria e Specializuar ka paraqitur tri kategori ndryshimesh në aktakuzën ndaj Thaçit dhe ish-udhëheqësve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Sipas versionit të ndryshuar të aktakuzës, në fshatrat Budakovë dhe Semetishtë të Suharekës, dyshohet që ndërmjet 4 qershorit 1998 dhe shtatorit 1998, të paktën 12 persona janë ndaluar në qendra ndalimi.

Po ashtu, në aktakuzë thuhet se në fund në fund të qershorit dhe fillim të korrikut të vitit 1999,pjesëtarë të UÇK-së ndaluan “të paktën tre persona pa proces të rregullt ligjor në një seli të UÇK-së, të vendosur në ndërtesën e një ish-shkolle dhe konvikti në Gjilan”.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore