Përballje

Derbi i zjarrtë i kryeqytetit, Tirana dhe Partizani ndahen në barazim


Si gjithmonë, derbi i kryeqytetit shqiptar mes Tiranës dhe Partizanit ka dhuruar spektakël dhe emocione.

Këtë radhë, skuadrat u ndanë në barazim 1:1, ndeshje kjo e vlefshme e xhiros së 33-të në elitën e futbollit shqiptar.

Para se të niste sfida, nisën edhe ngjarjet e dhunshme nga ana e dy tifozerive, ku ata të Partizanit sulmuan autobusin e ekipit të Tiranës, duke ia thyer edhe xhamat.

Pastaj, dhuna nuk mungoi as në tribuna, ku pati përleshje mes tifozëve të të dyja skuadrave.

Edhe ndeshja nisi me emocione, ku rastet nuk munguan që në minutat e para nga dyja ekipet.

Në minutën e 32-të, tensioni u shfaq edhe në fushë, Lushkja i Tiranës u përplas me Matondon të Partizanit.

Sidoqoftë, pjesa e parë përfundoi pa gola, përkundër që rastet për gol nuk munguan.

Nuk vonoi shumë nga fillimi i pjesës së dytë, më konkretisht në minutën e 53-të Partizani kaloi në epërsi.

Pas një kombinimi në zonë Christian Mba, pasoi për Da Silva-n dhe braziliani mposhti portierin e Tiranës, Visar Bekajn.

Dy minuta më vonë, ndeshja u ndërpre për pak momente, pasi tifozët filluan të hidhnin mjete piroteknike në fushë, ku u godit nga njëra prej tyre edhe portieri i Partizanit, Rexhepi.

Në minutën e 81-të erdhi goli i barazimit nga vendasit. Ardit Deliu shënoi një gol fantastik nga jashtë zone, ku mbeti i shtangur portieri kundërshtar.

Deri në fund, pati mundësi tjera shënimi, por skuadrat u ndanë në barazim. Edhe pse gjyqtari i katërt akordoi 11 minuta shtesë, rezultati nuk ndryshoi deri në fund.

Pas kësaj ndeshje, gara për titull kampion mbetet e hapur, kur kanë mbetur edhe tre javë nga fundi i kampionatit.

Tirana aktualisht është në vendin e parë me 60 pikë, dy më shumë se Partizani ndjekës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore