Shqipëria

Dera është e hapur për të gjithë, thotë Berisha pas marrjes së vulës


Pas marrjes së vulës dhe logos së Partisë Demokratike, Sali Berisha kishte një ftesë për të gjithë demokratët.

Ai i ftoi ato të bashkohen për të rrëzuar Qeverinë dhe për të sjellë rotacionin politik.

“Sot ka vetëm një Parti Demokratike, e bashkuar rreth flamurit të saj, flamurit të lirisë, flamurit të fitores”.

Për të mesazhi më i rëndësishëm është vetëm një, bashkimi, pasi tashmë nuk ka më PD me vulë dhe pa vulë.

Nga ana tjetër,  Lulzim Basha mbajti takimin me strukturat e Partisë Demokratike, për të diskutuar vendimin e Gjykatës së Apelit.

Në përfundim të takimit, Basha për mediat tha se do të zhvillohet edhe mbledhje e Kolegjit të kryetarëve.

Ai nuk bëri asnjë koment në lidhje me vendimmarrje të mundshme.

“Kemi ecur me mbledhjen e kryesisë, por nuk e kemi përfunduar. Do t’i bashkohemi kolegjit të kryetarëve. Gjithçka që ju thashë kur hyra vazhdon të qëndrojë. Do vazhdojmë takimet me kolegjin e kryetarëve dhe kryesinë”, tha Basha.

Para nisjes së takimit ai deklaroi se beteja nuk bëhet për logo apo për karrige, por për idealet e demokratëve.

Basha nënvizoi se nuk komenton vendimin e Gjykatës, por u shpreh se do të diskutohet për hapat e mëtejshëm, nëse do të çojnë apo jo në Gjykatën e Lartë.

Ai nuk dha një përgjigje direkte për mundësinë e krijimit të një force të re politike.

“Kjo është një betejë shpirtrash për idealet e demokratëve. Sot është më e qartë se kurrë që Shqipëria meriton më shumë”.

“Do të bëjmë gjithçka qe kemi në dorë”, tha Basha, duke shtuar se “do të vazhdojmë betejën tonë për një Shqipëri më të mirë”.

Gjykata e Apelit ka zbardhur detaje nga vendimi i marrë mesditën e kësaj të marte, kur vendosi që vula e Partisë Demokratike t’i jepet Rithemelimit, grupimit të drejtuar nga ish-kryeministri Sali Berisha.

Apeli thekson se kundër këtij vendimit mund të bëhet rekurs i veçantë në Gjykatën e Lartë brenda pesë ditëve duke filluar nga dita e nesërme e komunikimit të vendimit.

Pas më shumë se dy orë seancë gjyqësore ku u dëgjuan përfaqësuesit ligjorë të Partisë Demokratike zyrtare të Lulzim Bashës dhe të grupit demokrat të Rithemelimit të Sali Berishës, trupi gjykues së Apelit u tërhoq për vendim.

Çështja u shqyrtua nga relatorja Alma Ahmeti, ndërsa anëtarë ishin Iliba Bezati dhe Elona Toro.

Në mbyllje të seancës gjyqësore, deputeti i Rithemelimit, Flamur Noka komentoi vendimin duke thënë se “nuk është ditë për të festuar as për triumf, por është ditë për t’i ftuar që të jenë të gjithë bashkë kundër narkoregjimit”.

“Demokratët sot janë të bashkuar. Sot vendimi i gëzon ata. Është ditë e keqe për regjimin. Një opozitë e përçarë ka marrë fund”.

Nga PD zyrtare në gjykatë ndodheshin Indrit Sefa, Rezart Kthupi dhe Endri Hasa, ndërsa nga Rithemelimi krahas përfaqësuesve ligjorë janë dhe deputetët kryesorë mbështetës si Flamur Noka, Gazment Bardhi, Agron Gjekmarkaj.

Ivi Kaso si përfaqësues i Rithemelimit i kërkoi gjykatës së Apelit të mos pranohet kërkesa e bërë në mars 2022 e Enkelejd Alibeajt si palë në proces

“Vlerësojmë që Gjykata e Lartë ka orientuar Apelin në argumentet e veta, me arsyen kryesore që Apeli s’ka kuptuar thelbin e çështjes, pra që kjo çështje bëhet pa praninë e palëve të tjera. Është shumë specifike sa i takon verifikimit të këtyre vendimmarrjeve, për aktet e një subjekti politik. Ligji thotë që duhet të jenë të kujdesshme, ka vetëm një palë dhe ankimi bëhet po ashtu nga pala që ka vënë në lëvizje gjykatën”, tha Kaso.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore