Lajme

Deputetja kurde paralajmëron Suedinë për kompromisin e NATO-s me Turqinë


Një deputete kurdë e ekstremit të majtë, e cila mund të vendosë për fatin e qeverisë së Suedisë në votimin parlamentar të martën, e ka paralajmëruar atë kundër kompromisit me Turqinë lidhur me kërkesën e vendit për t’u bashkuar me NATO-n.

Amineh Kakabaveh, një ish-luftëtare Peshmerga që do të ketë votën vendimtare në parlamentin e Suedisë, i tha Financial Times se vendi do të braktiste “dinjitetin dhe vlerat” e tij nëse do t’i dorëzohej kërkesave të presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan, për të ekstraduar kurdët e kërkuar nga Ankaraja.

Turqia, si një anëtare e NATO-s, ka fuqinë për të vënë veton ndaj anëtarësimit të vendit skandinav në aleancën ushtarake dhe ka bërë të qarta kërkesat për pranimin e saj.

Komentet e deputetes së pavarur vijnë një ditë përpara një votimi vendimtar në parlamentin suedez mbi të ardhmen e ministrit të Drejtësisë, i cili mund të shkaktojë dorëheqjen e të gjithë qeverisë nëse humbet, diçka që është e garantuar nëse Kakabaveh voton kundër.

Oferta e Suedisë për t’u anëtarësuar në NATO, përpjekjet e saj për të kapërcyer kundërshtimin e Turqisë dhe paqëndrueshmëria kronike e fundit politike e Stokholmit janë përplasur përpara votimit dramatik të së martës.

Demokratët populistë të Suedisë, të mbështetur nga e gjithë opozita e djathtë, kanë paraqitur një votë mosbesimi ndaj ministrit të drejtësisë së qendrës së majtë, Morgan Johansson, pas viteve me të shtëna ndaj bandave në zonat e brendshme të qyteteve, si dhe sulmeve me granata dhe bomba.

Amineh Kakabaveh dhe kryeministrja suedeze Magdalena Andersson

Por kryeministrja socialdemokrate Magdalena Andersson, ka thënë se e gjithë qeveria e saj do të japë dorëheqjen nëse vota e mosbesimit miratohet, gjë që do ta zhyste Suedinë në një krizë qeveritare 100 ditë përpara zgjedhjeve kombëtare dhe ndërsa Stokholmi fillon të negociojë me Ankaranë për zhbllokimin e aplikimit të saj në NATO.

Kakabaveh, e cila dha mbështetjen e saj në nëntor për të siguruar që Andersson të bëhej kryeministër nëpërmjet një marrëveshjeje shumë të pazakontë që bazohej në mbështetjen për kurdët dhe kritikat ndaj Erdoganit.

“Ndjenja ime është se ata do të sakrifikojnë ministrin e tyre për Erdoganin”, tha Kakabaveh.

Parlamenti i Suedisë është i balancuar në mënyrë të barabartë, 174 vota kundër 174 mes të majtës dhe të djathtës, duke i dhënë Kakabaveh një rëndësi të madhe.

Në këmbim të lejimit të Suedisë për t’u bashkuar me NATO-n, Ankaraja ka kërkuar që vendi të ndërmarrë më shumë veprime kundër terroristëve, të ekstradojë kurdët nga Suedia dhe të heqë embargon e armëve.

Autoritetet suedeze thonë se nuk ka pasur kurrë një embargo armësh dhe se ajo e ka ndaluar prej kohësh Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), të cilën qeveria turke e konsideron si grup terrorist.

“Nuk jam unë 0problemi, është Erdogani. Qeveria dëshiron të bëjë kompromis është e tmerrshme, jam e tmerruar. Ndjej frikë për të ardhmen”, tha Kakabaveh.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore