Kosova

Deputeti gjerman: Arrestimi i kreut te “Mbrojtjes Civile” ishte i nevojshëm


Thomas Hacker

Rraportuesi i grupit parlamentar të liberalëve në Parlamentin e Gjermanisë (Bundestag), Thomas Hacker, e ka përshëndetur arrestimin e drejtuesit të formacionit paramilitar “Mbrojtja Civile”, Milun Milenkoviç – Llune, i cili ka qenë organizatori kryesor i sulmeve ndaj forcave të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës në veri.

“Arrestimi i kreut të formacionit paraushtarak Civilna Zastita për sulmet ndaj ushtarëve të misionit paqeruajtës të KFOR-it është i domosdoshëm”, ka thënë Hacker në një komunikatë për media, transmeton rrjeti ndërkombëtar i lajmeve “Deutsche Welle”.

“Sulmet ndaj ushtarëve të misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO-ja, janë njëkohësisht sulme ndaj sigurisë, stabilitetit dhe paqes në të gjithë rajonin”, nënvizoi ndër të tjera politikani gjerman, ndërsa shtoi se “ngjarjet e 30 majit 2023, nuk duhet të mbeten pa pasoja”.

Ndryshe, tensionet janë kthyer sërish në veri të Kosovës, pas zgjedhjeve lokale të 23 prillit për katër kryetarët e komunave atje – Leposaviq, Zveçan, Zubin Potok dhe Mitrovicë e Veriut – të cilat i fituan kandidatët shqiptarë nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës.

Serbët lokalë janë duke protestuar që prej 29 majit në këto komuna të banuara me shumicë serbe, për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në objektet komunale, ku për pasojë janë plagosur 30 pjesëtarë të forcës paqeruajtëse të NATO-s, kryesisht italianë dhe hungarezë.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, deklaroi ditë më parë se për këtë arsye ka vendosur të dislokojë 700 trupa të tjera nga Forca Operacionale për Ballkanin Perëndimor në Kosovë dhe ka vendosur gjithashtu një batalion shtesë të forcave të NATO-s në gatishmëri të lartë.

Qetësimi i situatës në pjesën veriore të Kosovës, mbajtja e zgjedhjeve të reja lokale dhe kthimi në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi janë tri kërkesat e përbashkëta të bashkësisë së organizuar ndërkombëtare për dalje nga kriza.

Megjithatë, kreu i ekzekutivit kosovar njoftoi se ka prezantuar një plan prej pesë pikave për uljen e tensioneve në veri: Sundimi i ligjit atje; tërheqja e grupeve të dhunshme; Policia e Kosovës, KFOR-i dhe EULEX-i të kryejnë vlerësime të përbashkëta të sigurisë; shpallja e zgjedhje të parakohshme; dhe rikthimi në dialog.

Në veri ekziston pak ose aspak rendi publik, udhëheqja nuk gëzon as autoritet, as besnikëri, ndërsa një numër grupesh dhe fraksionesh i kërcënojnë me rezistencë autoritetet kosovare që mundohet të integrojnë komunitetin komunitetin serb dhe të vendosin një rend efektiv.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore