Lajme

Deputetët e LVV-së refuzojnë të flasin për rezervat shtetërore në komision parlamentar – e dështojnë mbledhjen qëllimisht


Komisioni hetimor për rezervat shtetërore.

Sërish ka dështuar të mbahet mbledhja e Komisionit për rezervat shtetërore, kjo për shkak të mungesës së mazhorancës.

Kryetari i Komisionit ad-hoc, Rashit Qalaj, ka thënë se deputetët e partisë s’kanë dhënë arsye për mosprezencën e tyre.

“Siç po e shihni, puna e Komisionit pamundësohet për shkak të deputetëve të Vetëvendosjes, të atyre që vazhdimisht janë thirrur në ligj, rend, drejtësi. Sot vetëm një nga deputetët, kolegu Driton Hyseni ka lajmëruar që për shkaqe personale e për shkak të një angazhimi s’mund të vjen, që është një mungesë me arsye, e për të tjerët s’kemi asnjë informatë të vetme”, ka deklaruar Qalaj.

Para dy jave komisioni për rezervat shtetërore kishte mbajtur mbledhjen e parë.

Ndërsa, për shtatë herë radhazi kishte dështuar konstituimi i këtij komisioni për shkak, për shkak të bojkotimit të deputetëve të pozitës për të marrë pjesë në mbledhje.

Kuvendi i Kosovës me 69 vota pro kishte themeluar komisionin që do t’i hetojë procedurat për furnizimin dhe menaxhimin e rezervave shtetërore.

Albanian Post kishte raportuar në muajin prill të këtij vitit për problemin me Rezervat Shtetërore dhe keqpërdorimet potenciale që ndodhnin prapa arsyetimit se s’mund të jepeshin informacione meqë ishte sekret shtetëror.

Në artikullin me titull “Rezervat Shtetërore të Kosovës – A po mbulohet keqpërdorimi milionësh me arsyetimin e “sekretit shtetëror”?”, AP kishte nxjerrur në pah faktin se Kosova ka blerë mallra për rezerva shtetërore nga një kompani turke fantom.

Nga Prokuroria Speciale akuzohen dy zyrtarë të MINT drejtori i Departamentit të Rezervave Shtetrore, Hafiz Gara, Drejtori i Integrimeve Evropiane, Irfan Lipovica dhe Ridvan Muharremi, afarist.

Organi i Akuzës i ngarkon Garën e Lipovicën se kanë anashkaluar Ligjin e Prokurimit Publik kur kanë kërkuar që malli të blihet pa procedura, por me negocim.

Prokuroria në dosje thotë se buxheti i Kosovës është dëmtuar 600 mijë euro si shkak i mos ardhjes së vajit, sheqerit dhe 52 tonë grurë.

Konstitohet komisioni hetimor parlamentar për rezervat shtetërore, pas shtatë dështimesh

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore