Shqipëria

Deputet, ministër dhe prefekt – Kush është Vangjel Tavo, drejtuesi ri i bashkisë Himarë?


Fituesi i zgjedhjeve të Bashkisë Himarë, Vangjel Tavo nuk është një emër i panjohur në skenën e politikës shqiptare. Madje ka mbajtur poste të rëndësishme.

Ai njihet si eksponent i njohur i Lëvizjes Socialiste për Integrim (sot Partia e Lirisë), ish-ministër i Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Prefekt i Qarkut Vlorë dhe pjesë e dikurshme e kabinetit qeveritar Rama 1.

Një figurë e pranuar, por mbi të gjitha pjesë e minoritetit grek në Shqipëri…jo atij minoriteti përfaqësuar nga figura të diskutueshme të dikurshme si Vasil Bollani, apo Fredi Beleri, të cilët kanë krijuar gjithnjë ndasi e kontroversion në publik.

Tavo është ekzaktësisht e kundërta e Fredi Belerit, ish-kryetarit të Bashkisë Himarë, i dënuar me vendim gjykate për korrupsion aktiv në votime.

Tavo është ndër ata minoritarë, të cilët ekuilibrin e kanë edhe te bindjet personale – ai nderon flamurin shqiptar, nderon ditët historike të pavarësisë dhe çlirimit të Shqipërisë, nderon figurat më të shquara të kombit, përfshi fjala bie edhe studiuesin e lartësuesin më të madh të gjuhës shqipe, Eqrem Çabejn.

Ai këtë e bën dhe e bën publikisht, ndaj dhe gjerësisht gëzon respektin popullor, por edhe atë të palëve.

Historikun e vet politik në fakt, Tavo e ka nisur pikërisht me Partinë Socialiste, por ai iu bashkua më tej fraksionit të Ilir Metës fillimisht, i cili më pas përfundoi të ishte Lëvizja Socialiste për Integrim.

Tavo mund të cilësohet edhe si një person që nisi traditën e fitoreve socialiste në Gjirokastër, pasi në vitin 1996, ai fitoi zgjedhjet aty dhe mori për herë të parë mandatin e deputetit.

Në vitin 2010 më tej, e la PS-në për t’iu bashkuar LSI-së, u bë edhe nënkryetar parlamenti dhe ministër mandej.

Fakti është gjithsesi që pas prishjes së kontratës mes PS-së dhe LSI-së, nga ana e Tavos nuk ka pasur asnjëherë deklarata denigruese kundrejt palës tjetër të majtë.

As nga Partia Demokratike, qoftë kur ai ka qenë kundërshtar, apo edhe në aleancë, nuk ka pasur ndonjëherë deklarata, të cilat e kanë ulur figurën e Tavos dhe profili i tij i mbajtur i ulët, reflekton se është i duhuri për të qenë në krye të Himarës.

Mjeku Vangjel Tavo, tashmë do të jetë drejtues i bashkisë Himarë.

Vangjel Tavo: Unë drejtoj duke shërbyer, Gjikuria i mirëpritur për nënkryetar

Vangjel Tavo: Unë drejtoj duke shërbyer, Gjikuria i mirëpritur për nënkryetar

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore