Lajme

Departamenti i Drejtësisë, ngre padi për ligjin e abortit në Texas


Përfaqësuesja e shtetit të Texas-it, Donna Howard, D-Austin, mban fjalim para ligjvënësve për kundërshtimin e ligjit të abortit.

Departamenti i Drejtësisë së presidentit amerikan Joe Biden është duke përgatitur veprime ligjore për të sfiduar ligjin kufizues të abortit në Texas. Këtë e ka konfirmuar një zyrtar i departamentit për median amerikane “CNN”.

Zyrtari nuk ka dhënë detaje mbi çfarë baze do të bazohet padia, por avokatët e departamenteve janë sfiduar për të gjetur një mjet ligjor të mundshëm.

Ndërkaq ai konfirmoi se një njoftim zyrtar pritet në orët e ardhshme.

Departamenti ka qenë duke eksploruar rrugët ligjore për të sfiduar ndalimin gjashtë-javor të abortit në Texas pasi Gjykata Supreme e SHBA-ve javën e kaluar refuzoi një kërkesë nga klinikat për të bllokuar hyrjen në fuqi të ligjit.

Ligji i Texas-it u hartua posaçërisht me qëllimin për ta bërë më të vështirë për klinikat të marrin urdhra nga gjykata federale që bllokojnë zbatimin e ligjit.

Në vend që të krijojë dënime penale për abortet e kryera pasi të zbulohet një rrahje zemre e fetusit, Legjislatura e Texas-it ka ngarkuar qytetarët privatë të zbatojnë ligjin duke sjellë procese gjyqësore private kundër klinikave – dhe këdo tjetër që ndihmon një grua në marrjen e një aborti pas gjashtë javësh.

Që kur ligji hyri në fuqi, klinikat në Texas kanë ndaluar ofrimin e aborteve pas gjashtë javësh – ose janë mbyllur fare.

Në një opinion të panënshkruar, shumica e Gjykatës Supreme shkroi se ndërsa klinikat kishin ngritur “pyetje serioze në lidhje me kushtetutshmërinë e ligjit të Texas-it”, ata nuk kishin përmbushur një barrë që do të lejonte gjykatën ta bllokonte atë në këtë kohë për shkak të “kompleksit” dhe pyetjeve procedurale “të reja”.

Këtë çështje Departamenti i Drejtësisë nuk ka pranuar të komentojë.

Prokurori i Përgjithshëm Merrick Garland të hënën ishte zotuar të mbronte klinikat e abortit në Texas duke zbatuar një ligj federal që ndalon kërcënimet ndaj pacientëve që kërkojnë shërbime të shëndetit riprodhues dhe pengojnë hyrjet në klinika.

“Departamenti do të sigurojë mbështetje nga zbatimi i ligjit federal kur një klinikë aborti ose një qendër e shëndetit riprodhues është nën sulm”, tha Garland.

Ai shtoi më tej se, “nuk do të tolerojmë dhunën kundër atyre që kërkojnë të marrin ose ofrojnë shërbime të shëndetit riprodhues, pengim fizik ose dëmtim të pronës në kundërshtim me Aktin e FACE-t”.

“Wall Street Journal”, sihte e para që raportoi për përgatitjet e administratës së Biden për të paditur ligjin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore