Dënimi i Salianjit: PD kthen kaosin në Kuvend, nxjerrin karriget jashtë dhe u vënë flakën

Seanca ka nisur me tensione
SHFLETO
Rajmonda Basha
30.09.2024 17:08
Loading Icons...

Opozita shqiptare ka nisur sërish kaosin në Kuvend.

Kësaj here, për shkak të dënimit të deputetit demokrat Ervin Salianji për “kallëzim të rremë”.

Seanca ka nisur me tensione, pasi deputetët e PD kanë bllokuar foltoren.

Gjithashtu, deputetët e PD-së në nisjen e seancës së sotme janë përplasur me gardën e republikës pranë foltores teksa hodhën sende dhe shishe në drejtim të ministrave dhe kryetares së parlamentit, Elisa Spiropali.

Më tej ata morën karriget e kuvendit ku ata ulen dhe i nxorën jashtë në oborrin përpara derës hyrëse të parlamentit.

Kryetari i Grupit të PD-së, Gazment Bardhi u shpreh se “ne po djegim karriget tona, se nuk jemi këtu për karriget tona”.

“Jemi këtu për të mbrojtur interesin publik. Salianji denoncoi lidhjet e Fatmir Xhafajt me krimin. Karriget tona janë të qytetarëve. Edi Rama ka djegur parlamentin. Ne jemi këtu për të thënë se jemi për interes publik. Jo, ne nuk kemi djegur mandatet. Ne nuk shmangemi nga beteja, do na kenë përballë në çdo moment”, tha ai.

Nga ana tjetër, deputeti i PS, Erion Braçe ka reaguar pas skenarëve të dhunës së deputetëve të PD, të cilët hodhën edhe sende të forta drejt kryetares së Kuvendit, Elisa Spiropali.

Braçe ka kërkuar të merren masa, duke thënë se iu rrezikua jeta.

“Është marrë jeta në mes të bulevardit ashtu siç jeta e njerëzve që mendojnë ndryshe nuk llogaritet fare”, tha Braçe.

“Goditja e kryetares në atë farë mënyre rrezikon jetë. Është marrë jeta në mes të bulevardit ashtu siç jeta e njerëzve që mendojnë ndryshe nuk llogaritet fare. Të qëllosh me sende të atij lloji rrezikon jetën e njerëzve. Vënia në rrezik i  jetës së njerëzve brenda sallës së kuvendit është mesazhi më i poshtër. Dhuna është e papranueshme dhe duhet të marrë dënimin e merituar. Ç’kuptim ka të ndëshkohen ata jashtë salle dhe të dhuna të dominojë në këtë sallë”, tha Braçe.

Kujtojmë se Gjykata e Apelit ka dhënë vendimin për Salianjin, duke lënë në fuqi vendimin e  Gjykatës së Shkallës së Parë për dënimin e tij me 1 vit burg, nën akuzën për “Kallëzim të rremë” mbi çështjen “Babale”.

Ai akuzohet për denoncimet ndaj Qeverisë për lidhje me trafikantë dhe personazhe të krimit të organizuar.

Salianji preket ndërkohë edhe nga ligji i Dekriminalizimit. KQZ i heq mandatin aktual dhe e ndalon të jetë në listën e deputetëve jo vetëm në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025, por dhe të vitit 2029.

Çfarë përfaqëson “Babalja”?

Salianji dhe gazetari Jetmir Olldashi  u shpallën fajtorë për akuzën e “kallëzimit të rremë” lidhur me inskenimin e audio-përgjimit, me qëllim përfshirjen e vëllait të ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, në trafikun e drogës.

Gjykata Penale vendosi 1 vit burgim për ish-deputetin Salianji me akuzën e kallëzimit të rremë kryer në bashkëpunim.

Videot e publikuara nga deputeti Salianji do të ndiqnin njëra – tjetrën.

Ai publikoi një video ku shfaqej Fredi Alizoti, kunati i Babales, i cili shprehej se “Taulant Balla dhe Ardi Veliu i kishin kërkuar të deklaronte se kishte imituar vëllanë e Xhafajt”.

Por Alizoti në Prokurori dëshmoi se vetë Babalja i kishte ofruar 100 mijë euro për të realizuar imitimin e zërit.

Në lojë u futën ekspertët nga Mbretëria e Bashkuar.

Ata me kërkesë të Ministrisë shqiptare të Drejtësisë vërtetuan se audio-përgjimi ishte i sajuar dhe jo autentik.

Kjo do të mjaftonte që Prokuroria e Krimeve të Rënda të niste hetimin ndaj Albert Veliut, Fredi Alizotit, Ervin Salianjit dhe Jetmir Olldashit.