Lajme

Demokraci Plus – Kuvendit të Kosovës: Dërgoni projektligjin për konfiskimin e pasurisë në Komisionin e Venecias


Ilustrim

Organizata jo-qeveritare, “Demokraci Plus”, i ka bërë thirrje Kuvendit të Kosovës të kërkojë opinionin nga Komisioni i Venedikut për Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Sipas tyre, pasuria e fituar nga korrupsioni dhe abuzimi me detyrën publike është brengë serioze në Kosovë dhe kërkon trajtim të menjëhershëm.

“Duke qenë një problem kompleks, zgjidhjet që ofrohen duhet të jenë në përputhje me standardet ndërkombëtare që balancojnë të drejtat e individit me ato të interesit të përgjithshëm”, thuhet në komunikatën për media të kësaj organizate.

Refuzimi ndaj marrjes së opsioneve nga mekanizmat vendorë dhe ndërkombëtar sipas D+ në procese juridike komplekse si ky, vetëm sa minojnë besimin e publikut dhe forcojnë zërat që kjo iniciativë ka për qëllim vetëm shuarjen e zërave kritikë dhe jo luftimin e korrupsionit në vend.

“Duke qenë se për herë të parë synohet të aplikohet konfiskimi civil për pasurinë e pajustifikueshme, por edhe duke i marrë për bazë shqetësimet e shumta për përmbajtjen e projektligjit nga organizatat e shoqërisë civile dhe ekspertët e së drejtës kushtetuese, kërkojmë nga Kuvendi i Kosovës që Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme ta dërgojë për opinion në Komisionin e Venedikut”, vazhdon komunikata.

Albulena Haxhiu

Ndryshe, Qeveria e Kosovës, më 29 dhjetor të vitit të kaluar ka arritur ta miratoi Projektligjin për Byronë shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, e cila të mërkurën e dy shkurtit me 7 vota pro dhe 2 abstenim kaloi edhe në Komisionin për Legjislacion.

Për Ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, Byroja në fjalë do të jetë në funksion dhe konsolidimit të shtetit.

“Ky projektligj ka për qëllim se në rast se Byroja vlerëson qe dikush ka pasuri e cila është e pajustifikueshme kërkon nga ai zyrtar, arsyetimin e parasë. Një nga debatet e shumta që është bërë në këtë drejtim ka qenë që kinse Byroja do ta konfiskojë pasurinë, por kjo nuk është e vërtetë, këtë e bën Gjykata Themelore në Prishtinë”, kishte deklaruar Haxhiu në Komisionin për Legjislacion.

Haxhiu, madje është zotuar se projektligji e përpiluar do të pamundësojë ndikimin e politikës në këtë institucion.

“Ky institucion nuk ka kompetenca hetuese por verifikuese. Ne frikën nuk mundem me ja heq askujt, por të punojmë së bashku që të bëjmë ligjin e mirë”, kishte shtuar ajo.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore