Lajme

Dëme të mëdha dhe trauma psikologjike nga vullkani në Tonga


Dëmet e vullkanit Tonga janë shumë të mëdha.

Në ditët para se të shpërthente, vullkani nënujor Hunga Tonga-Hunga Ha’apai dukej se ishte në një fazë të qetë, pas disa ditësh që ishte shfaqur i trazuar në fund të 2021.

Banorët kanë përjetuar trauma të rënda psikologjike.

“Të gjithë duhet të luftojnë siç duhet tani,” përmendi Drew Havea, nënkryetar i Kryqit të Kuq të Tonga.

Për shkak të vendndodhjes së largët të Tongës, një vend me 105 mijë banorë që ndodhet rreth 2 mijë e 300 kilometra në veri-lindje të Zelandës së Re, menaxhimi i operacioneve të shpëtimit ishte i vështirë.

Për ditë të tëra vinin shumë pak lajme nga arkipelagu, sepse i vetmi kabull telekomunikacioni me fiber optike që lidh mbretërinë polineziane të Tongës me pjesën tjetër të botës ishte dëmtuar.

Megjithatë, për të komplikuar edhe më shumë përpjekjet e ndërkombëtarëve, ishte edhe fakti se shumica e ishujve të arkipelagut, prej të cilëve 169 gjithsej, ishin mbuluar nga hiri vullkanik, çka e bënte të pamundur uljen e avionëve dhe po ashtu kishte kontaminuar shumë rezerva të ujit të pijshëm.

Ishujt më të goditur nga shpërthimi janë ata që ndodhen në pjesën perëndimore të vendit, disa dhjetëra kilometra larg vullkanit.

Tre persona kanë humbur jetën, operacionet e shpëtimit po vazhdojnë, kurse bilanci i dëmeve do të jetë akoma edhe më i vështirë të nxirret.

Zëdhënësi i OKB-së, Stephane Dujarric tha se ekziston një shqetësim i madh për momentin, pasi më shumë se 50 mijë njerëz, nuk do të kenë akses në ujë të sigurt.

Përveç kësaj, tha ai, karburanti po pakësohet dhe në disa zona janë raportuar dëme serioze në bujqësi, blegtori dhe në objektet e peshkimit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore