Kosova

Deklarimet “alarmante” të Kurtit – “të raportojë urgjentisht në Kuvend”


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Instituti Demokratik i Kosovës ka kërkuar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, që të raportojë në Kuvend për procesin e dialogut me Serbinë.

“Raportimi i kryeministrit para Kuvendit përveç që është detyrë kushtetuese, është jetik për të mirëmbajtur një standard të qeverisjes demokratike dhe të përgjegjshme”, thuhet në reagimin e IKD-së.

“Në këtë drejtim edhe subjektet politike opozitare duhet të ushtrojnë rolin e tyre parlamentar që të mbajnë llogaridhënës ekzekutivin, duke kërkuar raportime të rregullta të kryeministrit rreth dialogut me Serbinë”.

Sipas IKD-së, informimi i publikut rreth zhvillimeve në procesin e dialogut Kosovë-Serbi është thelbësor në garantimin e transparencës dhe llogaridhënies publike si dhe rritjen e besimit qytetar në këtë proces.

“Megjithatë, kjo nuk e amniston kryeministrin nga përgjegjësia që pas deklarimeve të sotme alarmante, të raportojë sa më shpejt para Kuvendit të Kosovës, si institucioni më i lartë mbikëqyrës i politikës së jashtme”.

Ndryshe, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë një konference për media është shprehur i bindur se Miroslav Lajçak jo veç që punon në favor të Serbisë, por ai edhe fsheh gjëra nga Bashkimi Evropian.

“Nuk e di sa e ka ditur, jo Bashkimi Evropian dhe qeveritë më të fuqishme të BE-së, por sa e ka ditur vetë Borrell që Serbia nuk bën propozime. Në një moment kur unë i them Vuçiç-it cili është propozimi juaj, edhe Borrell i thotë cili është propozimi? Pastaj Lajçak tha ‘jo jo e ka dhënë më herët’. Pastaj na sollën një dokument që është më i vjetër që gjashtë muaj”.

Kurti, tha se ka njoftuar  shtetet anëtare të BE-së dhe SHBA-të për njëanshmërinë e Lajçakut.

Takimi i nëntë ndërmjet Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiç-it nuk prodhoi ndonjë rezultat.

Sipas Shefit të Diplomacisë së BE-së ishte Kurti ai që nuk e pranoi propozimin e BE-së për zbatimin e njëkohshëm të obligimeve që dalin nga kjo marrëveshje, ndërsa Vuçiç-i e pranoi.

Kurti thotë se Lajçaku ka fshehur gjëra edhe nga Borrelli, lërmë nga BE dhe shtetet anëtare, duke i ndihmuar Serbisë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore