Gjykata Speciale

Deklaratat përmbyllëse për rastin e Pjetër Shalës do të mbahen prej 15 deri më 19 prill


Më 9 shkurt të këtij viti trupi gjykues në rastin e Pjetër Shalës i akuzuar për krime lufte nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë ka përmbyllur procedurën e paraqitjes së provave, ndërsa deklaratat përmbyllëse do të mbahen prej 15 deri më 19 prill të këtij viti.

“Trupi gjykues i mbylli procedurën e paraqitjes së provave në çështjen Pjetër Shala, urdhëroi palët që të parashtrojnë dosjet gjyqësore përfundimtare, së bashku me deklaratën lidhur me ndikimin e krimeve të pretenduara në viktimat pjesëmarrëse deri më 25 mars dhe caktoi datat për deklaratat përmbyllëse të mbahen prej 15 deri më 19 prill 2024”, thuhet në njoftim për media të Speciales.

Shala u arrestua gjatë vitit 2021 nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletarrestimit dhe urdhrit për transferim  lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Në aktakuzën e konfirmuar, Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës.

Ndërsa me 19 prill të vitit 2021 ishte mbajtur seanca parë ku Shala ishte deklaruar i pafajshëm për akuzuat që i vihen në barrë.

Ai kishte mohuar se ka kryer krime dhe pati theksuar se është i pafajshëm.

“Unë nuk e ndej veten që kam bërë një krim, përpos që kam mbrojtur atdheun tim dhe popullin tim”, kishte potencuar Shala.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore