Kosova

Deklaratat për “sulm nga Serbia” përpjekje për të fituar simpatinë ndërkombëtare, thotë Prelec


Marko Prelec

Marco Prelec, hulumtues në organizatën e pavarur International Crisis Group, beson se diskursi i Qeverisë së Kosovës për mundësinë e sulmit nga ana e Serbisë apo përsëritjes eventuale të një situate si më 24 shtator të vitit të kaluar kanë për qëllim fitimin e simpatisë së ndërkombëtarëve.

Perëndimi si rrjedhojë e luftës në Ukrainë është e shqetësuar me Rusinë, andaj sipas Prelec, Kurti po synon që ta nxjerrë Serbinë si pro-ruse.

“Ky lloj i deklaratave duhet të merret si përpjekje për të tërhequr vëmendjen ndërkombëtare dhe për të fituar simpatinë ndërkombëtare. Shumica e aleatëve perëndimorë janë të shqetësuar me Rusinë dhe për Kurtin çfarëdo që mund të bëjë për t’u rreshtuar me Perëndimin dhe për ta nxjerrë Serbiën si pro-ruse, duket se ka kuptim”, ka thënë Prelec, në një intervistë për Radio Evropën e Lirë.

Ndryshe Prelec në një intervistë për Zërin e Amerikës kishte thënë se hapja e urës kryesore mbi lumin Ibër për qarkullimin e automjeteve mund të nxisë tensione të reja në Veriun e Kosovës.

“Por, nuk pres domosdoshmërisht të ketë ndonjë lloj dhune, mund të shohim demonstrata”, potencoi njohësi i situatës politike në Ballkanin Perëndimor.

Në vlerësimin e tij kjo çështje vlen të trajtohet në procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian – si një gjest miqësor ndaj BE-së për mbështetjen që i ka dhënë Kosovës.

“Mendoj se ka një kohë që dialogu është në një lloj kome… Por, ajo që dialogu mund të bëjë është të trajtojë çështje të nivelit më të ulët si çështja se çfarë të bëhet me urën kryesore në Mitrovicë”, shton ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore