Kosova

Deklaratat e krerëve të shtetit për sulme të reja nga Serbia “trembin” investitorët


Deklaratat e vazhdueshme të krerëve të shtetit të Kosovës se mund të ketë sulm ndaj vendit nga Serbia, sipas kryetarit të Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, po bëhen pengesë për thithjen e investimeve të huaja në vend.

“Një ndër pengesat pse investimet e huaja nuk vijnë në Kosovë, janë mesazhet që po përçohen. Ne duhet të përçojmë mesazhe që Kosova është një vend shumë stabil, një vend miqësor i të bërit biznes, një vend i hapur për të thithur investime të huaja”, tha Rafuna për Kosovapress.

Tutje, kreu i OEK-ut ka theksuar se duhet të arrihet një marrëveshje përfundimtare sa më shpejt të jetë e mundur me Serbinë.

“Kërkesa jonë gjithmonë ka qenë që sa më shpejt të vijmë tek një marrëveshje finale me Serbinë, me njohje reciproke dhe të ofrohet një mundësi më e madhe, një siguri më e madhe për investitorët e huaj në mënyrë që të vijnë dhe të investojnë këtu”, potencoi ai.

Gjashtë ditë më parë, kryeparlamentari, Glauk Konjufca, është shprehur se ka informacione të sakta se me qindra njerëz në Serbi po ushtrohen dhe po përgatiten për një sulm të mundshëm ndaj Kosovës.

“Ka informacione të sakta se një grup prej qindra personash sërish po e bëjnë të njëjtën gjë në Serbi, po ushtrojnë po përgatiten për ndonjë sulm eventual që mund ta përjetojmë”, tha Konjufca.

Ndryshe, kryekrimineli Milan Radojiçiç – njeri i besuar i presidentit serb Aleksandër Vuçiç – së bashku me një grup paramilitarësh serbë sulmuan Policinë e Kosovës më 24 shtator të vitit të kaluar, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.

Autoritetet e Kosovës akuzuan drejtpërdrejtë Serbinë se qëndron prapa këtij sulmi terrorist, pasi që personat që morën përgjegjësinë kanë lidhje të ngushta me regjimin në Serbi.

Radojiçiç u arrestua nga autoritetet serbe, për t’u liruar një ditë më pas. Vendet perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian e kanë dënuar këtë sulm, derisa kanë kërkuar që përgjegjësit të sillen para drejtësisë.

Nga ana tjetër, Serbia nuk është distancuar nga ky sulm, përkundrazi ka shpallur ditë zie kombëtare, për t’i nderuar kështu terroristët e vrarë. Përveç kësaj, Beogradi zyrtar, pas sulmit terrorist, dislokoi një numër të madh të trupave ushtarake përgjatë kufirit me Kosovën.

Për Radojiçiç-in dhe disa të tjerë, aktualisht ekziston një urdhërarrest ndërkombëtar nga INTERPOL-i e ku theksohet se potencon se ky i fundit për këto vepra mund të dënohet deri në burgim të përjetshëm.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore