Lajme

Deklaratat e Hill-it: Duhet ta kuptojmë, s’jemi më në vitin 1999


“Nuk duhet pas iluzione se qeveria amerikane do të vihet krejtësisht në anën kosovare si në rastin e Rambujesë dhe procesin e Ahtisarit”, ka thënë Arsim Bajrami njëri nga pjesëmarrësit në konferencën e Rambujesë.

Këtë përgjigje e dha ish-deputeti i PDK-së, pasi është pyetur nga Albanian Post për të komentuar deklaratën e ambasadori të Shtetet të Bashkuara të Amerikës, Christopher Hill, i cili tha se Serbia shkoi e përgatitur në rundin e fundit të dialogut Kosovë-Serbi që u mbajt në Bruksel më 18 gusht, derisa sipas tij, pala kosovare nuk ishte përgatitur “që të flasin për specifika”.

Bajrami që kishte punuar bashkë me Hillin, kur ky i fundit dy dekada më parë ishte angazhuar si pjesë e ‘Grupit të Kontaktit’ për të gjetur një zgjidhje paqësore mes Kosovës dhe Serbisë, thotë se “më e rëndësishmja për momentin është angazhimi amerikan në procesin e dialogut”.

“Tani qeveria amerikane me të drejtë kërkon qasje konstruktive dhe proaktive nga pala kosovare, sepse tani qeveria amerikane tenton ta përmbyllë shtetëndërtimin e Kosovës dhe të punojë me Serbinë për ta orientuar në rrugën euro-atlantike”, thekson Bajrami për Albanian Post.

Ish-deputeti i PDK-së, thotë se shpreson se Qeveria e Kosovës dhe kryeministri Kurti të demonstrojnë lidership dhe ta përmbyllin dialogun me një pragmatizëm politik me kompromise që nuk cenojnë shtetësinë dhe sovranitetin e vendit.

Bajrami si njëri nga hartuesit e Kushtetutës së Kosovës, po ashtu potencon se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe, “ka hapësirë kushtetuese dhe ligjore të themelohet pa cenu karakterin unitar të vendit”.

“Udhërrëfyes për ketë është Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për Asociacionin”, shtoi Bajrami.

Nga ana tjetër, ish-ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku, thekson se deklarata e Hillit për dialogun nuk duhet të keqkuptohet.

“Shqetësimi ynë nuk duhet të jetë pse është përgatitur Serbia, por pse nuk është përgatitur Kosova”, nënvizoi Çitaku për AP.

Por, ajo sqaroi se “nuk ka asgjë personale në këtë mes”.

“Kurti duhet të kuptojë që bota nuk e sheh as Serbinë e as Kosovën me thjerrëzat e vitit 1999. Kosova sot është shtet, dhe duhet të sillet përgjegjshëm”.

Nënkryetarja e PDK-së mendon se në Kosovë duhen të mësohen përfundimisht se ambasadorët amerikan përfaqësojnë interesat e SHBA-ve dhe detyra e tyre është që të shpien përpara orientimet strategjike të administratës që përfaqësojnë.

Prandaj sipas saj, “ndërsa bota ka ndryshuar shumë, konteksti gjeopolitik është i ndryshëm, dhe natyrshëm SHBA dhe BE e duan tërë rajonin, përfshire Serbinë, larg influencës ruse”.

Kurti: Serbia nuk solli ide konkrete në dialog

Por, ndryshe nga Hill mendon kryeministri Kurti.

Ky i fundit gjatë një konference për media të martën tha se pala kosovare ka qenë pala konstruktive në dialog, e jo pala serbe, kjo pasi që sipas tij, ai vetë pa pasur propozime konkrete në bisedime duke ju referuar kështu gjashtë kapitujve të cilat i ka propozuar në takimin e 18 gushtit.

“Ai që propozon konkretisht është pozitiv, është ndihmues kreativ, dhe ky kam qenë unë, ndërsa pala tjetër nuk ka sjellë ide konkrete, unë kam sjellë ide konkrete dhe jo vetëm kaq teksti dhe përmbajtja e një marrëveshjeje tashmë është dakorduar, marrëveshja për personat e zhdukur me dhunë është dakorduar por Beogradi ka refuzuar”, ka thënë Kurti

Kurti ka treguar se ai nuk ka shkuar në dialog për diskutimin e një marrëveshjeje për menaxhim krize, por për një marrëveshje finale.

“Insistimi në dialog ka qenë që të bëjmë menaxhim krize, na për çështje të sigurisë e takuam Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg një ditë para takimit të 18 gushtit, ndërsa takimi në Bruksel ka qenë takimi i liderëve, për çështjen e sigurisë dhe të mbrojtjes takojmë NATO-n, e nëse dëshirojmë ne që të mos bëjmë marrëveshje, e të mos flasim për kornizën e përgjithshme të marrëveshjes, e të flasim për hapa të vegjël gradual atëherë ne nuk do të jemi lider do të jemi gjykatës, policë, doganier”, ka shtuar ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore