Sport

Deklaratat e disa prej yjeve të Manchester City-t pas fitimit të titullit kampion


Manchester City u shpall zyrtarisht kampion i këtij edicioni në Premier Leauge në ditën e djeshme, kur ndjekësi më i afërt, Arsenal-i, u mposht nga Nottingham Forest.

Megjithatë, djemtë e Pep Guardiola-s e mposhtën edhe Chelsea-n sot (e diele, 21 maj) në ndeshjen e tyre të radhës, kështu duke e bërë festën më interesante.

Pasi festuan me kupën në duar, disa prej tyre u prononcuan për media, duke e shprehur lumturinë e të shpallurit kampion.

Erling Haaland, që theu rekordin për golashënuesin më të mirë gjatë një edicioni në historinë e Premier Leauge tha se ishte tejet i lumtur me këtë edicion.

“Është e pabesueshme. Nuk di çfarë të them. Jam shumë i lumtur. Këto kujtime do t’i mbaj mend gjatë gjithë jetës time. Është e veçantë. Do ta shijoj këtë ditë gjithmonë. Është e mrekullueshme”, tha Haaland.

“Sezoni debutues, 36 gola, trofe në Premier League dhe dy finale të tjera. Jo keq”, ishin disa nga fjalët e bomberit norvegjez.

I lumtur u shpreh edhe Bernardo Silva, i cili tha se ajo që City ka bërë në vitet e fundit, ishte përtej pritshmërive, derisa ai shtoi se do të synojnë edhe trofetë në FA Cup dhe në Ligën e Kampionëve.

“Është me të vërtetë e bukur të fitosh tre tituj radhazi dhe pesë nga gjashtë të fundit. Ajo që kemi arritur në vitet e fundit ka qenë vërtet e mirë. Është historike sepse jo shumë ekipe e kanë bërë këtë”, tha portugezi.

“Tani ne mund ta shijojmë suksesin me tifozët tanë dhe të mendojmë për finalen e FA Cup dhe finalen Championsit. Ne duam t’i fitojmë të tre trofetë”, shtoi Bernardo Silva.

Gjithashtu edhe Kevin De Bruyne foli për mediat, duke thënë se këto suksese kanë ardhur me shumë punë nga ana e ekipit të tij.

“Kemi punuar 11 muaj rresht për ta parë këtë sukses. Është një ditë për të festuar me tifozët dhe familjen. Është e mrekullueshme”, tha mesfushori belg.

“Njerëzit presin që ne të fitojmë shumë, ne punojmë çdo ditë për këtë. Njerëzit sakrifikojnë shumë për ekipin. Kam tetë vjet këtu. Kjo është shtëpia ime dhe momentet e mrekullueshme vazhdojnë të vijnë”, shtoi De Bruyne.

“Thjesht përpiqemi të bëjmë më të mirën që mundemi. Dua të fitoj më shumë dhe të vazhdoj. Kemi edhe dy finale tani për të cilat duhet të përgatitemi”, ishin disa nga fjalët e belgut.

Pra, City e fitoi titullin e pestë në gjashtë sezonet e fundit, si dhe është në finalet e FA Cup dhe të Ligës së Kampionëve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore