Lajme

Deklarata e Stoltenberg ishte “sinjal i fortë” për Serbinë


Ilustrim: Albin Kurti, Jens Stoltenberg dhe Aleksandër Vuçiç

Për ligjëruesin e paqes dhe konfliktit në universitetin “Dublin City”, Gëzim Visoka, deklarata e Sekretarit të Përgjithshëm të Aleancës Veri-Atlantike (NATO) Jens Stoltenberg, se “NATO është e gatshme të ndërhyjë ushtarakisht në Kosovë”, e thënë në një telefonatë me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç, është bërë për t’i përçuar një mesazh të fortë Serbisë, se NATO është autoriteti suprem për sa i përket sigurisë dhe paqes në Kosovë, dhe se e njëjta nuk do të tolerojë eskalimin e situatës në rrethanat gjeopolilitke në të cilën gjendet globi sot, pas agresionit rus në Ukrainë.

Telefonata në fjalë erdhi në kontekstin e përshkallëzimit të situatës në Veriun e Kosovës pasi Qeveria e Kosovës nisi implementimin e masës për çështjen e targave për serbët në Veri dhe reciprocitetit me dokumentet e identifikimit.

“Mendoj se kësaj radhe NATO është e vetëdijshme se Serbia dhe strukturat paralele në Veri janë të interesuara për t’a destabilizuar Kosovën dhe kjo deklaratë shprehimore është sinjal se kërcënimet e tilla duhet të marrin fund”, ka thënë Visoka për Albanian Post.

Gëzim Visoka

Në të njëjtën linjë të mendimit është edhe eksperti i sigurisë, Adrian Shtuni, pasi sipas tij, një deklaratë e tillë nga Stoltenberg ka qenë e qartë dhe sidomos e mirëpritur marrë për bazë fragjilitetin e Veriut të Kosovës.

“Është një përkujtim për të gjithë ata që mund ta kenë harruar se KFOR-i i udhëhequr nga NATO ka mandat nga OKB dhe njëkohësisht përgjegjësi për garantimin e sigurisë dhe lirisë së lëvizjes në të gjithë territorin e Kosovës, përfshi Veriun e saj”, ka thënë Shtuni për Albanian Post.

Kurse, sipas profesorit Visoka, e gjithë situata e krijuar në Veriun e Kosovës, ka pasur për qëllim dy aspekte: e para krijimi i një situate kaotike ku nga këtu do të përfitonin poena politike liderët e të dy vendeve dhe dy gjetjen e një arsyeje për t’u ulur përsëri në tryezën e bisedimeve në Bruksel.

“Tani duket që këto kërcënime kanë qenë të karakterit të eskalimit të situatës për konsum populist vendor dhe arsyetim të pjesëmarrjes në dialogun e udhëhequr nga BE-ja”, ka shtuar ai.

Nuk është hera e parë kur Jens Stoltenberg ka telefonuar dy liderët, Albin Kurtin dhe Aleksandër Vuçiç-in, por e para herë kur Stoltenberg i thotë haptazi këtij të fundit se NATO është i gatshëm të ndërhyjë në Kosovë.

E sipas Shtunit arsyeja e ashpërsisë së deklaratës së Stoltenberg në raport me Serbinë qëndron në faktin se dinamikat gjeopolitike në botë kanë ndryshuar thellësisht pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia.

“Besoj Stoltenberg e pa të arsyeshme të ishte më eksplicit kësaj here krahasimisht me shtatorin e 2021-tës pasi dinamikat gjeopolitike kane ndryshuar. Pra mesazhi i tij se NATO është e gatshme të ndërhyjë ne Veri duhet të lexohet në kontekstin e konfliktit në Ukrainë kur nervat janë të tendosura dhe mundësia e provokimeve të eskalojnë në përplasje të dhunshme është më e lartë”, ka shpjeguar ai.

Adrian Shtuni

Jens Stoltenberg më 26 shtator të vitit të kaluar kishte kërkuar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, që të ulnin tensionet në Veri të Kosovës, pasi më 20 shtator të po këtij viti Qeveria e Kosovës pati filluar zbatimin e një vendimi ku automjetet nga Serbia që hynin në Kosovë, duhet të largonin targat dhe të përdornin targa të përkohshme të lëshuara nga autoritetet e Kosovës.

Ndonëse një gjë e tillë pati tensionuar situatën jashtë mase dhe për më shumë se 1 javë dy rrugët që të çonin në pikë kalimet kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak kishin mbetur të bllokuara, Stoltenberg nuk pati përmendur për mundësinë e ndërhyrjes së NATO-s.

Mesazhi i tij drejtuar dy liderëve kishte një karakter më neutral dhe i ftonte këta të fundit që problemet e tyre t’i zgjidhnin përmes dialogut.

“Kam biseduar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç lidhur me nevojën për shtensionimin e situatës në Veri të Kosovës. Është vitale që Prishtina dhe Beogradi të tregojnë përmbajtje dhe t’i kthehen dialogut. Mandati i misionit të NATO-s, KFOR-it mbetet që të sigurohet që të ketë ambient të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjithë”, kishte shkruar në Twitter, Stoltenberg.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore