Kosova

“Deklarata e Kuvendit Gjithëserb” | Hovenier: S’e ndajmë qëndrimin e tyre


Jeffrey Hovenier

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Kosovë, Jeffrey Hovenier, deklaroi se SHBA-ja dhe partnerët perëndimorë nuk pajtohen me deklaratën e miratuar më 8 qershor 2024 nga Serbia dhe Republika Sërpska, ku Kosova përmendet si “pjesë e patjetërsueshme e Serbisë”.

“Nuk e kam pasur mundësinë t’i lexoj të gjitha raportet lidhur me ‘Kuvendin Gjithëserb’, por e kuptoj që aty përdoret gjuhë që thotë se Kosova është pjesë integrale e Serbisë. E kuptoj që ky është qëndrimi i tyre, por ky nuk është qëndrimi i asnjërit prej nesh, nuk është i SHBA-së, i partnerëve tanë të QUINT-it apo kujtdo tjetër”, theksoi ai, transmeton “Radio Evropa e Lirë“.

Deklarata e miratuar nga dy qeveritë në kuadër të “Kuvendit Gjithëserb”, pritet të miratohet brenda 90 ditësh në parlamentin e Serbisë dhe parlamentin e Republikës Sërpska. Në pjesën për Kosovën të deklaratës të “Kuvendit Gjithëserb” pretendohet se “Kosova është pjesë e patjetërsueshme e Serbisë – një nga përcaktuesit e identitetit kombëtar të serbëve”.

Ndryshe, shumë vëzhgues të politikave ballkanike kanë paralajmëruar se “Kuvendi Gjithëserb” është një përpjekje e politikanëve serbë, posaçërisht e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, për realizimin e projektit nacionalist e irredentist për “Serbinë e Madhe” apo të ashtuquajturën “Botë Serbe” – një kopje e projektit imperialist rus për “Botën Ruse”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore