Shqipëria

Deklarata e ‘çuditshme’ e Kuvendit – Karamuço komenton sulmet e fundit kibernetike, për Albanian Post


“Deklaratë e çuditshme”.

Kështu e ka cilësuar eksperti i sigurisë, Ervin Karamuço, deklaratën e Kuvendit të Shqipërisë në lidhje me hakerimin e faqes zyrtare.

Nga njëra anë, grupi Homeland Justice pretendon se ka hakeruar faqen e Kuvendit, AKEP dhe tatimet, si edhe disa kompani private.

Nga ana tjetër, Kuvendi ka reaguar duke mos e përgënjeshtruar sulmin, por duke bërë me dije se të dhënat nuk janë vjedhur.

“Ka një deklaratë të çuditshme të Kuvendit që thotë se ‘na kanë sulmuar faqen, nuk jemi prekur, por po shohim pasojat e dëmit që ka shkaktuar’ sulmi”, ka thenë Karamuço për Albanian Post.

Sipas tij, ky reagim i Kuvendit është non-sens.

“Kjo është non-sens, pasi kur je sulmuar, duhet ta pranosh dhe pastaj, dëmet dalin më pas, s’mund të thuhet që s’jemi prekur pasi ende institucioni nuk di se çfarë është dëmtuar”.

Karamuço ka shpjeguar se Kuvendi ka një sistem të brendshëm me anë të të cilit komunikohen shkresat, ku gjenden projektligje të shumë seancave.

Mes tyre edhe ato “të sigurisë kombëtare, të cilat nganjëherë zhvillohen me dyer të hapura, herë të tjera me dyer të mbyllura”.

Po ashtu edhe pamje filmike të këtyre seancave.

Referuar ekspertit, mund të ketë edhe sekret shtetëror që kalon nëpër shkresa e dokumente.

Dyshimet e tij janë që këto materiale mund të jenë administruar të gjitha, mund të jenë hakeruar.

“Dyshimet e mia janë. Por duhet të shihet fillimisht dëmi që është shkaktuar”, ka përsëritur ai.

Por Karamuço nuk përjashton as opsionin se mund të jemi përballë skenarit të një sulmi “trofe”.

“Sulmet e thjeshta për faqe të tilla janë edhe sulme trofe, nëpërmjet të cilave goditet institucioni më i lartë i shtetit për të treguar se çfarë është në gjendje të bëjë hakeruesi. Njëfarë dëmi viziv, dëm propagande”.

E që ky lloj sulmi, sipas tij, ka më shumë efekte në popullsi, për të krijuar edhe panik, “se sa një dëm të vërtetë që mund të pengojë – në një mënyrë apo një tjetër – mbarëvajtjen e aktiviteteve të Kuvendit të Shqipërisë”.

Megjithatë, Karamuço rithekson se nuk dihet ende kush e ka sulmuar faqen.

“Flitet për Iranianë, por ende është e pacertifikuar se nga ka ardhur ky sulm”.

Dyshimet e tij janë se mund të jenë të përfshirë edhe grupe brenda vendit, jo vetëm grupe të huaja.

“Duhet pritur se çfarë do të ndodhë më tej nga hetimet”.

Më herët, Kuvendi ka bërë me dije se nuk ka humbje të të dhënave pas hakerimit të ndodhur një ditë me parë dhe të marrë përsipër nga grupi Homeland Justice.

Dhe se po punohet për rikuperimin e faqes online, e se ekspertët po hetojnë se çfarë pasojash ka sjellë ky sulm.

Sipas njoftimit zyrtar, sulmi kibernetik ka ndodhur nga IP të shteteve të ndryshme, nga të cilat asnjë nuk ishte shqiptare.

Një ditë më parë, nëpërmjet një postimi në Telegram, grupi i hakerave tha se faqja e Kuvendit është në duart e tyre.

“Do të paguajnë edhe uzurpuesit e ulëseve të Kuvendit. Deputetët e korruptuar së shpejti do të shkatërrohen kur të kuptojnë se si demoni i tyre i brendshëm po i demonstrohet çdo kërkuesi të së vërtetës”, thuhet në postimin e bërë nga grupi.

Gjithashtu Homeland Justice ka hakeruar edhe faqen e dosjeve tatimore, të autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, Air Albania dhe One.

Sipas tyre, One Albania duhet të marrë një mësim, për ofrimin e shërbimeve të saj te kampi i muxhahedinëve MAK Albania.

Homeland Justice gjithashtu siguron kompanitë shqiptare se janë të sigurta, vetëm nëse nuk bashkëpunojnë me MAK Albania.

Homeland Justice prej më shumë se 1 viti ka hakeruar disa sisteme shërbimi në Shqipëri, publike dhe private.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore