Kosova

Deklarata e Aliut, Abdixhiku: Këta kanë atdhe të dytë, ne kemi vetëm Kosovën


Lumir Abdixhiku

“Ç’të duhen kundërshtarët e jashtëm, kur i ke të brendshmit?”, ka pyetur Lumir Abdixhiku.

Këtë pyetje, Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), e ka bërë pas deklaratës së Ministrit të Infrastrukturës, Liburn Aliu, i cili tha se Kosova është një shtet i përkohshëm, dhe se ai vetë është ministër i një shteti të përkohshëm, duke proklamuar kështu aspiratën për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë.

Prandaj, Abdixhiku, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se Kosova, “sot udhëhiqet nga populistë mosbesues të saj”, dhe se “fati i projektit më të madh shqiptar, ‘Kosova shtet i pavarur e sovran’ është në duar të mohuesve të vet shtetësisë”.

“Prandaj betimi mbi Republikë është farsë”, vlerësoi ai. “Prandaj shkelja e Kushtetutës bëhet zakonshmëri”, shtoi ai, duke iu referuar shkeljeve të shumta kushtetuese që i ka bërë përgjatë këtyre dy viteve e gjysmë qeverisje ekzekutivi i udhëhequr nga Albin Kurti.

“Sepse mosbesimi ndaj Kosovës është bindje”, pretendoi ai.

Këta, theksoi kreu i LDK-së, duke iu referuar Lëvizjes Vetëvendosje, “kanë atdhe të dytë”. “Ne kemi vetëm Kosovën”.

“LDK-ja si formacion i vetëm pavarësist, beson në Republikë. Fëmijët tanë meritojnë të besojnë në Republikë! Në shtetin që prindërit e gjyshërit e tyre nuk e kishin por ua kanë lënë me plot sakrificë. Në shtetin që në vend të mbytjes së ëndrrave e dhënies së pasigurisë u jep shpresën se një ditë do të jenë të barabartë mes popujve e shteteve euroatlantik!”, shtoi.

Prandaj, sipas tij, dhe “zgjedhja juaj është fare e lehtë”, sepse, siç tha Abdixhiku, “Kosova është e përhershme”.

Çka tha konkretisht Aliu?

Në një intervistë për televizionin “7”, Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, mbrëmjen e së enjtes, ka thënë se “unë mendoj që projekti Kosova shtet i pavarur është një projekt i përkohshëm që ka me marrë një rrugë”, derisa po fliste për mundësitë e krijimit të një kombi kosovar.

Liburn Aliu

“Rruga është normale, zhvillimi ekonomik, qarkullimi i vazhdueshëm brenda gjithë Ballkanit, do ta kthejë në vendin e vet ku do të shuhen të gjitha ato shovinzimat e të gjithë do të ktheheshin në vendin e vet”, tha Aliu.

Partia ku ministri i Infrastrukturës bënë pjesë, Lëvizja Vetëvendosje, gjatë kohës sa kishte qenë në opozitë e kishin proklamuar idenë e bashkimit kombëtar, pra të Kosovës dhe Shqipërisë.

Mirëpo, me ardhjen në pushtet, lideri i VV-së, përkatësisht kryeministri Albin Kurti, kishte thënë se një gjë të tillë nuk e lejon Kushtetuta e Kosovës, ndonëse Kushtetuta s’ka ndryshuar me ardhjen e Kurtit në pushtet.

Jo veç shkarkim, Liburn Aliu duhet të hetohet për thyerje të rendit kushtetues – thonë ekspertët

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore