Lajme

Debat mes Haxhiut dhe Vitisë për afatin e vaksinave


Deputeti nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) Bekim Haxhiu

Deputeti nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) Bekim Haxhiu, ka kërkuar sqarim nga ministri i Shëndetësisë Arben Vitia për vaksinat që kanë ardhur nga Norvegjia.

Ai ka thënë se pranimi i këtyre donacioneve është në kundërshtim me Ligjin për furnizimin me pajisjet medicionale, duke thënë se afati i skadimit të tyre është më së shumti 6 muaj.

“Në fund të këtij procesi të vaksinimit, Kosovës do t’i duhet të asgjësojë vaksinat që janë larguat nga shteti i Norvegjisë, ndërsa janë pranuar nga ministri Arben Vitia”, ka thënë Haxhiu.

Pas kësaj akuze, është kundërpërgjigjur ministri i Shëndetësie, Arben Vitia.

”Sinqerisht është e pa ndershme, është e pa precedant dhe është abuziv absolut me pozitën që kanë disa nga kolegët tonë me qëndrimet karshi vaksinimit dhe vaksinave në Republikën e Kosovës”, tha Vitia.

Tutje ai theksoi se “nga të gjitha vaksinat që janë në Kosovë, ska pasur asnjëherë efekte anësore të askush”.

“Duhet të kemi një qëndrim të bashkuar, për të ruajtur shëndetin publik dhe ekonomisë së vendit. Të gjitha vaksinat janë të sigurta. Vaksinohuni sepse është në të mirë të të gjithëve”, u shpreh Vitia.

Tutje Haxhiu ka thënë gjatë seancës se Qeveria Kurti 2 ka dështuar në vaksinimin e qytetarëve kundër COVID-19.

Deputeti Haxhiu në seancën e sotme tha po ashtu kjo qeveri ka shkelur Ligjin për pandeminë, pasi sipas tij i ka ndal shtesat në pagë stafit shëndetësor, policisë dhe inspektoratit.

“Ndonëse punëtorët shëndetësorë dhe stafi mbështetës, policia dhe inspektorati kryen me ndershmëri dhe përgjegjësi punën e tyre, qeveria nuk po tregohet e përgjegjshme dhe e kujdesshme me ta. Ua ka ndal shtesat në pagë të cilat ua garanton Ligji për luftimin e pandemisë Covid-19”.

Ai tutje ka shtuar se kjo Qeveri ka dështuar edhe në sigurimin e insulinës.

“Tani e disa muaj po përballen qytetarët me mungesë të insulinës dhe tek sot komuna e Prishtinës e vetme ka siguruar insulinën. Tani më nuk ka as dilemë edhe laiku më i vogël i shëndetësisë e ka kuptuar se kjo qeveri ka dështuar në procesin e vaksinimit, Kosova është vendi i fundit në rajon dhe në Evropë në procesin e vaksinimit. Blerja e vonuar e vaksinave dhe dështimi i planit të vaksinimit nga kjo qeveri është rrezikim i shëndetit dhe humbje e jetëve për qytetarët”.

Ndërsa deputeti nga radhët e AAK-së, Shemsedin Dreshaj ka thënë të jetë i shqetësuar me numrin e madh të qytetarëve të cilët po refuzojnë të vaksinohen.

Ai ka kërkuar nga qeveria e Kosovës që vaksinimin ta bëjë obligues sidomos për punëtorët e sektorit publik në Kosovë.

Të shtunën, më 3 korrik, Kosova pranoi mbi 182 mijë doza të vaksinës së AstraZenecas, që ishin donacion nga shteti i Norvegjisë.

Vaksinimi në masë për qytetarët e Kosovës kundër COVID-19, ka nisur më 15 qershor. Brenda një ditë jepen mbi një mijë doza të vaksinës kundër COVID-19.

Prej fillimit të vaksinimit në fund të marsit, në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë mbi 206 mijë doza të vaksinës, kurse numri i personave që kanë marrë të dy dozat e vaksinës është rreth 50 mijë.

Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve, që me qëllim të mbarëvajtjes së procesit në të gjitha qendrat e vaksinimit kudo në Kosovë dhe eliminimit të çfarëdo situate të panevojshme, t’u përmbahen terminëve të përcaktuara për vaksinim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore