Sport

De Ligt nuk ndihet i lumtur në Torino, mendon largimin


Qendërmbrojtësi i talentuar holandez i Juventus-it, Matthijs de Ligt, nuk duket se është shumë i lumtur në Torino.

22-vjeçari nuk po kalon formë të mirë dhe po kërkon një klub ku të ketë mundësinë të tregojë vazhdimësi.

Klubi i Juventus-it po kalon momente jo fort të mira, pas gati 10 viteve që ishte në krye të Serie A. Edhe pas ardhjes së Massimiliano Allegri-t është bërë më e qartë se holandezi do ta ketë të vështirë.

Kjo e ndikuar dhe nga paraqitjet e larta të dyshes Leonardo Bonucci – Giorgio Chiellini.

Gjithsesi, nuk do të jetë i lehtë largimi i tij nga Torino. Juventus-i investoi 85 milionë euro për ta marrë nga Ajax-i në vitin 2019. Por, për ta lënë të lirë i ka vendosur klauzolë 150 milionë euro.

Sipas medias torineze “Tuttosport”, agjenti i De Ligt-it, Mino Raiola, ka kontaktuar tashmë me dy klube, Barcelona-n dhe Chelsea-n. Të dy klubet kanë shumë intertes për lojtarin.

Joan Laporta e dëshiron te Barcelona, pavarësisht mundësisë për të paguar 150 milionë euro, duke qenë se klubi ka probleme financiare. Në krahun tjetër, Chelsea duket më e gatshme për të ofruar paratë.

Me Juventus-in, holandezi është paraqitur në 84 ndeshje në të gjitha kompeticionet. Ai ka shënuar gjashtë gola dhe ka dhuruar pesë asiste.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore