DASH: Shqipëria nuk përmbush standardet për eliminimin e trafikimit, por përpiqet
Rajmonda Basha
19.07.2022 19:04Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) ka publikuar raportin mbi trafikun e qenieve njerëzore për vitin 2022, që përfshinë vlerësimet për rreth 190 vende të botës, ku mes tyre është dhe Shqipëria.
Në raport, vendet janë të ndara në tre nivele të ndryshme në varësi të pajtimit të standardeve të kërkuara.
Qeveria e Shqipërisë, thuhet në raport, nuk përmbush plotësisht standardet minimale për eliminimin e trafikimit, por po bën përpjekje të konsiderueshme për ta bërë një gjë të tillë.
“Ajo demonstroi përpjekje të përgjithshme në rritje krahasuar me periudhën e mëparshme raportuese, duke marrë parasysh ndikimin e pandemisë COVID-19 në kapacitetin e luftës së saj kundër trafikimit, andaj Shqipëria mbeti në nivelin e dytë”.
Sipas raportit, këto përpjekje, përfshinë hetimin e më shumë rasteve dhe ndjekjen penale dhe dënimin e shumë trafikantëve.
“Qeveria identifikoi më shumë viktima dhe shtoi burimet për strehimoret e drejtuara nga Organizatat Joqeveritare. Përfshirja e zyrtarëve në krimet e trafikimit mbeti një shqetësim dhe qeveria nuk raportoi asnjë ndjekje penale apo dënim të zyrtarëve, pavarësisht akuzave serioze, ndërsa shkarkoi një oficer policie nga posti i tij”.
Gjithashtu raporti vë në pah se qeverisë i mungojnë edhe burimet për të trajtuar grupet e cenueshme dhe për kujdes afatgjatë, punësim dhe përpjekje të tjera ri integrimi për të mbijetuarit e trafikimit.
Më tej, thuhet se Policia e Shtetit, hetoi 61 raste me 27 të dyshuar (15 të dyshuar për trafikim të të rriturve dhe 12 të dyshuar për trafikim fëmijësh), krahasuar me 31 raste me 32 të dyshuar në vitin 2020.
“Prokuroria e Përgjithshme ndoqi penalisht 60 çështje me 19 të pandehur (gjashtë të pandehur për trafikim të të rriturve dhe 13 të pandehur për trafikim fëmijësh), një rritje krahasuar me dy çështje me 12 të pandehur në vitin 2020”.
Gjykatat, vë re raporti, dënuan 11 trafikantë, një rritje e konsiderueshme krahasuar me asnjë dënim në vitin 2020. Të gjithë trafikantët u dënuan për trafikim të fëmijëve. Gjykatësit dënuan pesë trafikantë me nga tetë deri në 25 vjet heqje lirie dhe dy trafikantë me nga dy deri në tetë vjet. Katër trafikantë u dënuan me kusht.
Për sa i përket mbrojtjes së viktimave, raporti thekson se qeveria shqiptare rriti përpjekjet për mbrojtjen e viktimave.
Raporti ngjashëm me vitet e fundit thekson se “trafikantët e qenieve njerëzore shfrytëzojnë viktimat e brendshme dhe të huaja në Shqipëri si dhe jashtë saj. Ata shfrytëzojnë gratë dhe fëmijët shqiptarë për trafik seksual e punë të detyruar brenda vendit, veçanërisht gjatë sezonit turistik duke u bërë premtime të rreme të tilla si martesa ose oferta pune”.
Ndërsa, emigrantët shqiptarë që kërkojnë punë në Evropën Perëndimore janë të cenueshëm ndaj shfrytëzimit në punë të detyruar dhe kriminalitetit të detyruar, veçanërisht në Mbretërinë e Bashkuar. Ekspertët raportojnë se fëmijët me aftësi të kufizuara janë gjithnjë e më të cenueshëm.
Në raportin e këtij viti, i bëhet thirrje Shqipërisë që të punojë në hetimin e thellë, ndjekjen dhe dënimin e trafikantëve, përgatitjen e bartësve të sistemit të drejtësisë për trajtimin e trafikimit të njerëzve dhe shtimin e përpjekjeve për parandalimin e trafikimit, mbrojtjen e viktimave dhe riintegrimin e tyre.