Lajme

DASH: Ligji i ri ‘drakonian’ i Hungarisë mund të përdoret për të ndëshkuar kritikët


Departamenti amerikan i Shtetit ka paralajmëruar se ligji i ri në Hungari “mund të përdoret për të frikësuar dhe ndëshkuar” hungarezët që nuk pajtohen me qeverinë.

Çka ka shtuar shqetësimet e gazetarëve dhe aktivistëve hungarezë që kanë shprehur shqetësimin se ligji synon të shuajë zërat kritikë.

Parlamenti i Hungarisë e ka miratuar legjislacionin javën e kaluar.

Ai konsiston në krijimin e një zyre për mbrojtjen e sovranitetit me kompetenca të gjera për të hetuar hungarezët aktivë në jetën publike.

Qeveria e kryeministrit të fuqishëm të Hungarisë, Viktor Orbán, ka akuzuar vazhdimisht kritikët se punojnë nën ndikimin e qeverive dhe entiteteve perëndimore.

Në një deklaratë, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Matthew Miller ka thënë se vendi i tij ishte “i shqetësuar nga vendimi i qeverisë hungareze për të miratuar një ligj të ri që e pajis qeverinë hungareze me mjete drakoniane që mund të përdoren për të frikësuar dhe ndëshkuar ata që nuk kanë pikëpamje të ngjashme me partinë në pushtet”.

Zyra e re e sovranitetit, sipas tij, “mund të përdoret për t’i nënshtruar qytetarët, bizneset dhe organizatat hungareze ndaj hetimeve ndërhyrëse pa mbikëqyrje gjyqësore, edhe nëse nuk kanë pasur kontakt ose mbështetje nga një qeveri e huaj ose një ent i huaj”.

“Ky ligj i ri nuk është në përputhje me vlerat tona të përbashkëta të demokracisë, lirisë individuale dhe shtetit të së drejtës”, ka theksuar ai.

Kurse David Pressman, ambasadori i SHBA-ve në Budapest, ka ravijëzuar se ligji i ri i ka dhënë zyrës së re shumë pushtet pa mbikëqyrjen e duhur.

“Ky organ i ri shtetëror ka kompetenca të pakufizuara për të marrë në pyetje hungarezët, për të kërkuar dokumentet e tyre private dhe për të përdorur shërbimet e aparatit të inteligjencës hungareze – të gjitha pa ndonjë mbikëqyrje gjyqësore apo rekurs gjyqësor për objektivat e tij”, ka thënë ai.

Teksa qeveria e Hungarisë argumenton se ligji është i nevojshëm për të përmirësuar llogaridhënien dhe transparencën, mediat dhe grupet e shoqërisë civile thonë se ai është krijuar për të minuar zërat e pavarur në një mjedis ku kritikët janë tashmë nën presion.

Javën e kaluar, 10 media të pavarura hungareze thanë se ligji ishte “i aftë të kufizonte ashpër lirinë e shtypit”.

Më herët, një grup hungarez i shoqërisë civile ka deklaruar se “aty ku qytetarët akuzohen se u shërbejnë interesave të huaja nëse thonë mendimet e tyre për çështjet publike, nuk ka liri”.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore