Kosova

DASH kritikon Kosovën për dënime të ulëta për akuzat e lidhura me terrorizëm


Departamenti Amerikan i Shtetit

Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) ka thënë se institucionet e drejtësisë në Kosovë përgjatë vitit 2022, kanë vazhduar të shqiptojnë dënime të ulëta për akuzat e lidhura me terrorizëm, derisa kanë shtuar se ka pasur edhe lirim të parakohshëm për këto akuza.

Këto të dhënë janë paraqitur në Raportin për terrorizëm për shtetet. Sa i përket Kosovës, në fillim thuhet se gjatë vitit 2022, Kosova ka vazhduar riatdhesimin e shtetasve të saj nga kampet e qëndrimit dhe ndalimit në Siri, derisa përmend edhe përpjekjet e ekzekutivit kosovar për hartimin e një Strategji Kombëtare dhe Plan Veprimi për Parandalimin dhe Kundër Terrorizmit për 2023-28.

Aty theksohet se operacioni i tretë i riatdhesimit që u zhvillua në maj, u krye në bashkëpunim me Shqipërinë dhe u mbështet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA).

“Deri më tani, Kosova ka riatdhesuar mbi 120 shtetas. Vlerësohet se 80 shtetas të tjerë vazhdojnë të jenë në kampet e të zhvendosurve apo në qendrat e ndalimit, ose në fushëbeteja në Siri. Dënimet e ulëta për akuzat e lidhura me terrorizmin kanë vazhduar”, theksohet në raport.

Në bazë të këtij raporti të DASH-it, qytetarët e Kosovës, si brenda ashtu edhe jashtë vendit, “janë caqe potenciale për rekrutim nga organizatat të dhunshme ekstremiste, me orientim etno-nacionalist apo fetar”.

“Gjatë vitit 2022, Kosova ndoqi penalisht një grua të riatdhesuar me ndihmën e ShBA-së. Edhe pse kjo grua u dënua me dy vjet burgim për shkak të bashkimit në grupin Shteti Islamik, gjykatat e Kosovës kanë dënuar të riatdhesuarit me tre deri në katër vjet e gjysmën burgim për organizim dhe pjesëmarrje në aktivitetet terroriste të IS-it”, shtohet aty.

Në raport, përmenden edhe emra konkret, si ai i Ylber Belës, ku theksohet ngritja e aktakuzës ndaj tij për organizim dhe pjesëmarrje në grup terrorist. Bela ishte riatdhesuar në Kosovë në maj, kjo pas përpjekjes së përbashkët me ShBA-të.

Tute, në raport përmendet edhe rasti i aktakuzës ndaj katër personave të dyshuar për përgatitjen e veprave terroriste kundër rendit kushtetues, të cilët dyshohet se kishin tentuar të krijonin struktura organizative për të kryer sulme terroriste në Kosovë duke kontaktuar me një zyrtar të lartë të grupit Shteti Islamik.

Po ashtu, DASH përmend vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë për lirimin e katër të pandehurve: dy dyshoheshin për përgatitje të sulmeve ndaj klubeve të natës, kishave dhe forcave të Kosovës, dhe dy për vepra të tjera penale.

Të njëjtit ishin liruar në mungesë të provave.

Aty është nënvizuar se Kosova ka legjislacion për të luftuar edhe financimin e terrorizmit, mirëpo kanë shtuar se ka mungesë për të adresuar kërcënimet e lidhura me terrorizmin.

“Megjithatë, dënimet e shkurtëra, lirimet e parakohshme dhe me kusht, si dhe joroganizimi i mbikëqyrjes pas lirimit paraqesin kërcënime për sigurinë”.

Tek pjesa e incidenteve terroriste më 2022, DASH thekson edhe arrestimin e ish-policit serb të Kosovës, Dejan Pantiç, në dhjetor të vitit të kaluar, i cili akuzohej për terrorizëm, për shkak të sulmit me mjete shpërthyese ndaj zyrave të Komisionit Qendror Zgjedhor të Kosovës në Veri.

Përveç këtyre, në raport potencohet edhe dënimit që Qeveria e Kosovës i ka bërë sulmeve të armatosura ndaj policisë në Veri, të cilat i ka cilësuar si terroriste.

“Prokurorët kosovarë i klasifikuan këto incidente të lidhura me akuza terroriste dhe raste kundër rendit kushtetues”, thuhet aty.

Sa i përket aspektit të sigurisë në Veriun e Kosovës, raporti i DASH-it thekson se “çështjet e sigurisë dhe paqëndrueshmëria politike në Veri të Kosovës vazhdon të kufizojë aftësinë e Qeverisë së Kosovës për të shtrirë autoritetin e saj në atë rajon”.

“Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR dhe Misioni i BE-së për Sundim të Ligjit, EULEX, kanë bashkëpunuar me Policinë e Kosovës për të promovuar një mjedis të sigurt dhe forcimin e sundimit të ligjit”.

Ndërkaq, aty thuhet se që nga pushtimi rus i Ukrainës, ambasada e SHBA-së në Prishtinë “ka vërejtur një rritje të dezinformimit rus dhe ka vlerësuar se është një nxitës gjithnjë e më i pranishëm i të menduarit të dhunshëm ekstremist dhe polarizimit ndëretnik që kontribuon në tensionet ndëretnike në Veri të Kosovës”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore