Kosova

DASH: Koha po kalon, duam të shohim përparim drejt themelimit të Asociacionit


Ilustrim

Nga Departamenti amerikan i Shtetit (DASH) kanë komentuar dështimin e raundit të ri të negociatave mes Kosovës dhe Serbisë të mbajtur këtë të enjte në Bruksel nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian (BE) i cili nuk ka arritur t’i përmbushë pritshmëritë e tyre, duke shprehur kësisoj mungesën e progresit drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve.

Në një përgjigje për “Radio Evropa e Lirë” të enjten, një zëdhënës i DASH-it ka përsëritur kërkesën e shprehur qartazi që Kosova dhe Serbia t’i marrin seriozisht obligimet që kanë marrë përsipër në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve nën kujdesin e BE-së, përfshirë themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë.

“Presim që të dyja vendet t’i marrin seriozisht obligimet e tyre me marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve, që kanë arritur më herët këtë vit. Koha po kalon. Ne duam të shohim përparim në obligimet ekzistuese dhe të mëparshme, të ndërmarra në dialog dhe me Marrëveshjen së Ohrit, duke përfshirë këtu themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”.

Përderisa asnjë rezultat në funksion të zbatimit të Marrëveshjes Bazë (Bruksel 27 shkurt – Ohër 18 mars) nuk ka prodhuar takimi i së enjtes mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, ka fajësuar kryeqeveritarin kosovar për mosgatishmërin e tij për të bërë kompromis.

Negociatat diplomatike të ndërmjetësuara nga BE-ja me përkrahjen e SHBA-ve nuk kanë prodhuar rezultate të prekshme në drejtim të normalizimit të marrëdhënieve, derisa kryeministri Kurti e presidenti Vuçiç nuk kanë lëvizur nga qëndrimet e tyre, posaçërisht për çështjen e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore