Lajme

Danimarka akoma në pritje të huazimit të qelive nga Kosova


Qendra e Paraburgimit në Gjilan.

Kosova akoma nuk e ka ratifikuar Traktin për strehimin e qindra të burgosuve nga Danimarka, edhe pse dokumenti për këtë qëllim parasheh që transferimi i tyre të bëhet në tre muajt e parë të vitit 2023.

Dy vendet kanë nënshkruar letër-pëlqimin për dërgimin e 300 të burgosurve nga Danimarka në Kosovë në dhjetor të vitit 2021, ndërsa në prill të vitit 2022, dokumenti është shndërruar në Traktat.

Lajmin se Danimarka vazhdon të jetë në pritje të huazimit të qelive nga Kosova, e ka konfirmuar këshilltarja politike në Ministrinë e Drejtësisë, Nazlie Bala për Radio Evropa e Lirë.

Ajo ka thënë se këto plane janë bërë gati nga ekipet teknike nga Danimarka dhe Shërbimi Korrektues i Kosovës.

“Traktati, i cili është nënshkruar nga Ministria e Drejtësisë e Kosovës dhe ajo e Danimarkës e ka pjesë të veten edhe Marrëveshjen për Energji të Gjelbër, dhe pa nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje nga dy ministritë përgjegjëse [v.j. ministritë e Financave të të dyja shteteve], ne nuk mund ta procedojmë tutje Traktatin, në Qeveri dhe Parlament, për ratifikim”, thotë Bala.

Traktati, i cili ka një kohëzgjatje prej dhjetë vjetësh, parasheh që Danimarka të marrë në shfrytëzim qeli të vetme dhe të përbashkëta në burgun e Gjilanit, ndërsa Kosova, në këmbim, të përfitojë mbi 200 milionë euro.

Kjo marrëveshje ishte përcjellë me kritika nga shoqatat e të drejtave të njeriut në Danimarkë.

Në tetor të vitit 2020, institucionet Korrektuese të Kosovës filluan një bashkëpunim me institucionet korrektuese të Danimarkës.

Ministri i Drejtësisë së Danimarkës, Nick Hakkerup, kishte deklaruar se kjo marrëveshje me Kosovën është diskutuar që një vit.

“Nënshkruam një letër qëllimi. Është një gur themel për bashkëpunimet e tjera mes Kosovës. Shërbimi Korrektues i Danimarkës ka qenë i mbingarkuar dhe Kosova është kontaktuar para një viti”, kishte potencuar Hakkerup.

Për momentin, rreth katër mijë të burgosur po vuajnë dënimin në burgjet e Danimarkës.

Numri i institucioneve të tilla është në rënie dhe numri i të burgosurve po rritet – me 19 për qind që nga viti 2015.

Shumica e të burgosurve vuajnë dënime deri në pesë vjet në të ashtuquajturat burgje të hapura.

Shumica e këtyre objekteve nuk kanë një gardh tradicional burgu dhe të burgosurit mund të kërkojnë mundësinë për t’u larguar përkohësisht nga burgu.

Albanian Post, kishte realizuar një story brenda burgut të Gjilanit ku do të transferohen të burgosurit nga Danimarka.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore