
Mbrojtësi brazilian Dani Alves do të gjykohet mbi akuzat për sulm seksual në Spanjë, tha të hënën për agjencinë “AFP” Gjykata e Lartë e Katalonjas.
Ish-ylli i Barcelona-s dhe Paris Saint-Germain (PSG) u arrestua në janar pasi u akuzua për përdhunimin e një vajze të re në banjën e një klubi nate në fund të dhjetorit.
Gjykata tha se një datë për gjykimin nuk ishte caktuar ende.
40-vjeçari brazilian është mbajtur në paraburgim pa lirim me kusht, sepse gjykata që e hetonte atë mendonte se ekzistonte rreziku që ai të përpiqej të ikte.
Kur historia shpërtheu për herë të parë – dhe para se të arrestohej – Alves në një intervistë televizive fillimisht mohoi të njihte vajzën.
Por kur u mor në pyetje nga hetuesit pas arrestimit, ai ndryshoi historinë e tij, duke këmbëngulur se ata kishin pasur marrëdhënie konsensuale.
Alves, i cili mund të përballet me deri në 12 vjet burg nëse shpallet fajtor, mbrojti pafajësinë e tij në një intervistë të botuar në qershor, duke thënë se ai ka një “ndërgjegje të pastër”.
“Unë kam një ndërgjegje vërtet të pastër për atë që ndodhi atë natë në banjën e zonës VIP të klubit të natës Sutton”, i tha ai gazetës së përditshme La Vanguardia në intervistën e tij të parë që nga arrestimi i tij. “Çfarë ndodhi dhe çfarë nuk ndodhi. Dhe ajo që nuk ndodhi është se unë e detyrova këtë grua të bënte gjithçka që bëmë ne”.
Në artikullin e qershorit, ai i tha La Vanguardia se kishte gënjyer në fillim sepse kishte frikë se gruaja e tij do ta linte nëse ai pranonte se kishte qenë me një grua tjetër.
Në momentin e incidentit, Alves ishte me pushime në Barcelonë pasi luajti për Brazilin në Kupën e Botës në Qatar.
Pas arrestimit të tij, Alves, i cili po mbahet në kompleksin e burgjeve Brians jashtë Barcelona-s, u largua nga klubi i tij meksikan Pumas UNAM.
Në një karrierë shumë të suksesshme, Alves fitoi 42 tituj, duke përfshirë tre Champions League me Barcelonën dhe dy Copa America me Brazilin.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com