Sport

Dalic: Kroacia ka potencial të përballet me çdo skuadër, të gjithë duam që Modric të qëndrojë


Kroacia u mposht në mbrëmjen e kaluar nga Spanja pas penalltive në finalen e Ligës së Kombeve.

Humbjen e komentoi trajneri i tyre, Zlatko Dalic, i cili shprehu keqardhjen për finalen e humbur por gjithashtu përgëzoi spanjollët për fitimin e trofeut.

“E përgëzoj Spanjën për fitimin e trofeut, por edhe skuadrën time që zhvilloi një ndeshje të madhe. I përgëzoj edhe tifozët që krijuan një atmosferë të mrekullueshme dhe shfaqën mbështetjen e tyre për kombëtaren gjatë gjithë ndeshjes”, u shpreh Dalic.

“Në këto pesë vite kemi pasur rezultate shumë të mira. Na vjen keq sepse humbëm një tjetër finale dhe jemi të zhgënjyer, por kemi fituar tre medalje dhe për këtë jemi krenar. Finalja e humbur tregoi se Kroacia ka potencial dhe mund të përballet me çdo skuadër”, tha trajneri i Kroacisë.

Është përfolur shumë nëpër media që kjo ishte ndeshja e fundit e Luka Modric-it me fanellën e Kroacisë. Këtë gjë e komentoi edhe Dalic.

“Modric së shpejti do të marrë vendimin e tij, por i duhet kohë pasi që është e vështirë të flasësh për një vendim tani”, theksoi trajneri kroat.

“Ai zhvilloi një ndeshje të madhe dhe brenda pak ditëve ka luajtur dy herë nga 120 minuta. Unë dua që ai të qëndrojë, është një lojtarë i rëndësishëm për ne. Të gjithë ne duam që ai ende të jetë pjesë e jona”, u shpreh mes tjerash Dalic.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore